Thursday, March 28, 2024

Bota Duhet të Dëgjojë Zërat e Vërtetë të Iranit

Shumë ekspertë besojnë se regjimi iranian është më i dobët se kurrë në 39 vite dhe sugjerojnë se kjo ndodh për një larmi shkaqesh, midis të cilave është edhe vendimi i Presidentit Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore.

Duke parë me vëmendje se çfarë ndodh në rrugët iraniane në mbarë vendin, kupton se regjimi në Teheran po përballet me një problem më serioz, i cili kërcënon ekzistencën e kësaj teokracie.

Sot, e gjithë diktatura klerikale po sfidohet nga greva masive dhe demonstrata popullore sporadike nga pothuajse të gjithë sektorët e shoqërisë iraniane.

Protestat mbarëkombëtare kanë filluar që më herët këtë vit dhe janë përhapur si zjarri në të gjithë vendin, veçanërisht me pjesëmarrje aktive nga klasat më të varfëra të etiketuara nga zyrtarët e regjimit si “rebelimet e uritura”. Kryengritja i shkatërroi të gjitha perceptimet se regjimi kishte mbështetje nga ana e miliona njerëzve që jetojnë nën kufirin e varfërisë. Tani, pas gjashtë muajsh protestash popullore të vazhdueshme, hegjemonia e pushtetit të Liderit Suprem po shkërmoqet teksa qytetarët e shtresave të mesme po i bashkohen gjithashtu demonstratave.

Kjo ndodh sepse, jo vetëm që situata ekonomike dhe e të drejtave njerëzore është degjeneruar, por nuk ka as ndonjë perspektivë për t’u përmirësuar. Qeveria e Rouhani-it nuk ka plan për të zgjidhur as krizën ekonomike, as atë sociale pasi qeveria e tij është jo vetëm e shkatërruar, por në prag të vdekjes dhe është e paaftë për të përmbushur kërkesat bazë dhe legjitime të popullit.

Teokracia është aktualisht në pozitën më të dobët që ka qenë ndonjëherë, rrogat e punëtorëve mbeten të papaguara, papunësia po arrin majat dhe rënia e monedhës kombëtare e ka bërë qeverinë të bjerë në gjunj.

Gjërat kanë shkuar deri në atë pikë sa Këshilli Kombëtar i Sigurisë së regjimit ka dhënë paralajmërime për ushtrinë e rebelimeve të uritura. Por problemi më serioz për regjimin janë kërkesat qytetare të popullit iranian, të tilla si liria e shprehjes dhe të drejtat e grave, të cilat janë dritë e kuqe për themelin teokratik.

Për shumë vjet, ekspertët e Iranit dhe proponentët e politikës së paqësimit kanë pretenduar se populli i Iranit nuk dëshiron ndryshim regjimi. Megjithatë, ndërsa regjimi i përgjigjet protestave me brutalitetin e zakonshëm, arrestime masive dhe shtypje, si qytetarët në rrugë ashtu edhe ata në hapësirën virtuale e konsiderojnë rrëzimin e teokracisë si prioritet urgjent.

Kjo është arsyeja pse çdo grevë apo demonstratë jo-politike ka potencialin për t’u bërë protestë anti-regjim, gjë që ndodh me shumë prej tyre. Për shembull, një grevë mbarëkombëtare nga shoferët e kamionëve në Iran, të cilët i kërkonin qeverisë të rritë pagesën e transportit dhe rrogat, u transformua shpejt në protestë anti-regjim.

Lideri Suprem i Iranit Ali Khamenei e ka ndjerë kërcënimin dhe ka dalë në skenë për të paralajmëruar për kërcënimin kryesor.

Gjatë komenteve të tij në përvjetorin e themelimit të diktaturës teokratike, Khamenei tha se lëvizja opozitare iraniane, Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, “i fryn” zjarrit duke iu referuar grevave dhe demonstratave masive në vend.

Në fakt, në vendet që sundohen nga diktatura, nëse protestat dhe grevat kanë mbështetjen e duhur politike dhe mbulimin e duhur nga mediat, ato do t’ia arrijnë qëllimit të tyre.

TV satelitor i opozitës iraniane dhe mediat e saj sociale i kapërcejnë të gjitha pengesat në Iran dhe raportojnë lajme mbi grevat duke depërtuar përmes censurimit të regjimit.

Por ajo që e tmerron regjimin është Mbledhja vjetore e NCRI në Paris, e njohur si mbledhja Irani i Lirë . Evenimenti i këtij viti do të jetë më 30 qershor dhe do t’i japë zë miliona njerëzve që janë të shtypur në Iran.

Në fjalimin e saj në mbledhjen e vitit të shkuar, presidentja e zgjedhur e NCRI, Znj. Maryam Rajavi, tha “regjimi është i rrethuar nga të varfërit dhe të rinjtë e papunë të cilët duan ndryshim regjimi”.

Dhe vërtet, një vit më vonë, bota qe dëshmitare e përkthimit të fjalëve të Znj. Rajavi në protesta mbarëkombëtare. Është fakt i dukshëm që teokracia nuk ka të ardhme në Iran. Si pasojë, është shumë e rëndësishme që Perëndimi, dhe veçanërisht vendet Europiane, të dëgjojnë zërat e vërtetë që vijnë nga Irani, të cilët kërkojnë ndryshim demokratik.

 

Hossein Abedini është anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit. Ai u plagos rëndë gjatë një përpjekjeje për vrasje më 14 mars, 1990 në Stamboll, Turqi, nga agjentë të dërguar nga Teherani.