Saturday, June 6, 2020

Grida Duma: Regjimi iranian është një regjim kriminal që kërcënon botën

Deputetja e PD-së Grida Duma foli për konfliktin mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duma deklaroi se regjimi iranian nuk ka fuqi aktesh terroriste, ndërsa shtoi se shqiptarët nuk duhet të përfshihen nga ndonjë panik apo të kenë ndonjë frikë nga sulme të mundshme.

Irani ose bazat që u goditën pas vrasjes së gjeneralit ishte tërësisht një lëvizje e Iranit për të mos humbur fytyrën. Irani donte të thoshte se shiko se edhe ne mund të reagojmë.

Nuk duhet pasur panik për ndonjë sulm nga Irani për veprim të logjikës terroriste. Të gjithë ata që merren me diplomaci, e dinë se me Iranin mund të veprohet me shkop të një ushtrie. Akti i marrjes së muxhahedinëve në Shqipëri është një akt humanitar dhe politik i qartë, si dhe strategjik, pasi ne jemi përkrah SHBA. Nëse ka një gjë që Shqipëria e ka bërë mirë është strehimi i muxhahedinëve. Deklaratat se Shqipëria na qenka një vend ‘djallëzor’ është vetëm politik, pasi në Iran ka sistem autokratik”, tha Duma.

Grida Duma vlerëson se presidenti i Amerikës Donald Trump ka vepruar në mënyrë “par execellce” në raport me Iranin, duke treguar forcën e vërtetë përballë një shteti që kërcënon me terrorizëm.

“Trumpi e ka identifikuar veten si president konservator republikan, që tregon dorën e fortë. Në kohën e Obamës, kishte një politikë paqësore dhe jo aq të një perandorie të fuqishme. Mendoj se qasja republikane është më e mira, sepse kur kemi të bëjmë me akte terroriste, këtu nuk ka situata për dialog, por këtu duhet treguar se kush është mbajtësi i forcës dhe presidenti amerikan këtë tregoi. Unë mbetem personalisht në anën e atyre që reagojnë me forcë ndaj akteve terroriste. Irani është një vend ku individi është person që ka kapur shtetin, është shteti vetë. Është njësoj sikur të bësh konferenca me kriminelët për të arritur një marrëveshje, gjë nuk mund të bëhet. Për mua Trump është treguar par execellce”, tha Duma.

Më tej, Grida Duma theksoi se regjimi iranian ka vrarë vetëm në dy muajt e fundit mbi 1227 njerëz, gjë që tregon se kemi një shtet tepër të kriminalizuar.

“Ky është një regjim, që e mbyt fjalën e lirë, vret. Në Iran, në dy muajt e fundit janë vrarë mbi 1227 njerëz, pra kemi të bëjmë me regjim kriminal. Është kërcënimi i një regjimi, që frikëson botën. Marrëveshja nukleare me Iranin është konsideruar e keqe”, u shpreh Duma.