Tuesday, December 7, 2021

BE Dënon Shtypjen ndaj Protestave në Iran si të ‘Papranueshme’

Kreu i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell Fontelles, të dielën nxori një deklaratë në emër të bllokut me 28 kombe, ku kërkon që regjimi t’i lirojë protestuesit e arrestuar

Bashkimi Europian e ka përshkruar shtypjen vrastare nga regjimi iranian ndaj protestave të Iranit si të “papranueshme.” 

Kreu i ri i BE-së për politikën e jashtme, Josep Borrell Fontelles, të dielën nxori një deklaratë në emër të bllokut me 28 kombe, ku kërkon që regjimi t’i lirojë protestuesit e arrestuar.

Më poshtë vijon teksti i plotë i deklaratës së BE-së mbi protestat e Iranit: 

Këshilli i BE-së 

Deklaratë për shtyp 

8 dhjetor 2019 

Deklaratë nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell Fontelles në Emër të BE-së mbi Protestat e Fundit në Iran 

Gjatë javëve të fundit, shumë njerëz në mbarë Iranin kanë ushtruar të drejtën e tyre themelore për t’u mbledhur e për të shprehur ankesat e tyre ekonomike. Dëshmi gjithnjë e më të forta tregojnë se, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për vetëpërmbajtje, përgjigjja e paekuilibruar e forcave iraniane të sigurisë ndaj demonstratave të fundit ka çuar në një numër të madh vdekjesh e plagosjesh. Për Bashkimin Europian dhe Shtetet Anëtare të tij, përdorimi i gjerë dhe i tepruar i forcës kundër protestuesve jo të dhunshëm është i papranueshëm. 

I nxisim autoritetet iraniane që të sigurojnë kryerjen e hetimeve transparente dhe të besueshme për të qartësuar numrin e vdekjeve e të të arrestuarve, dhe që t’u garantojnë të gjithë të arrestuarve procesin e drejtë gjyqësor. Presim që të gjithë autorët e dhunës të vihen para përgjegjësisë, dhe në përputhje me deklaratat e zyrtarëve të lartë iranianë, të gjithë protestuesit jo të dhunshëm që janë aktualisht të arrestuar duhet të lirohen menjëherë. 

Vendimi i Iranit për ta bllokuar aksesin në rrjetet globale të internetit për më shumë se një javë ka penguar komunikimin dhe rrjedhën e lirë të informacionit për qytetarët iranianë. Kjo është një shkelje e qartë e lirisë së fjalës. Të drejtat themelore si liria e shprehjes dhe e grumbullimit duhet të respektohen gjithmonë. Autoritetet iraniane duhet t’i përmbushin detyrimet e tyre ndërkombëtare, sidomos atë të Paktit Ndërkombëtar mbi të Drejtat Civile dhe Politike. 

Bashkimi Europian i adreson të gjitha çështjet shqetësueses në shkëmbimet e tij dypalëshe me Iranin, duke përfshirë të drejtat njerëzore, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. 

Burimi: https://www.consilium.europa.eu/en/press/press-releases/2019/12/08/declaration-by-high-representative-josep-borrell-fontelles-on-behalf-of-the-eu-on-the-recent-protests-in-iran/