Tuesday, December 7, 2021

Johnson: Protestat në Iran Janë Shenjë e ‘Pakënaqësisë Popullore’ nga Regjimi

Kryeministri i Britanisë Boris Johnson-Protestat në Iran janë shenjë e pakënaqësisë së vërtetë të popullit

Protestat në Iran janë shenjë e “pakënaqësisë së vërtetë të popullit” nga liderët e regjimit, tha të mërkurën Kryeministri britanik Boris Johnson.

Protestat në Iran filluan në mes të nëntorit kundër rritjes së çmimit të gazolinës, por shpejt u kthyen në protesta politike, ku demonstruesit thërrisnin ‘vdekje diktatorit’ duke kërkuar ndryshim regjimi në protestat më të përgjakshme anti-qeveritare që nga revolucioni islamik i 1979-ës.

“Unë besoj se kjo nuk është vetëm çështje e çmimit të lëndës djegëse, kjo është shenjë e pakënaqësisë së vërtetë të popullit nga regjimi dhe, të jem i sinqertë, nuk çuditem aspak për këtë,” u tha Johnson reporterëve në një konferencë për shtyp pas një samiti të NATO-s në Mbretërinë e Bashkuar. 

“Siç ndodh shpesh, ndërhyrjet iraniane në rajon janë për ta larguar vëmendjen nga dështimet e regjimit iranian,” citohet Johnson nga Reuters.  

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Mike Pompeo, tha para një audience në Universitetin e Louisville në Kentucky më 2 dhjetor se protestuesit në Iran po kërkojnë të drejtat e tyre bazë. 

“Dhe protestat në vetë Iranin në mbi 90 qytete po zhvillohen sepse populli iranian nuk mund të durojë më. Ata shohin një teokraci që vjedh para. Ajatollahu vjedh dhjetëra e dhjetëra miliona dollarë, duke i futur në xhepat e veta, para që duhet të shkojnë për popullin iranian. Dhe ata thjesht – ata thonë mjaft më dhe po kërkojnë këto të drejta bazë.” 

“Në Iran, raportimet tregojnë se ka disa qindra njerëz që janë vrarë nga forcat e sigurisë, mijëra të arrestuar brenda Iranit, dhe duke u ngritur e duke thënë se kjo nuk është e drejtë, këta njerëz thjesht po kërkojnë disa liri bazë, dhe udhëheqja iraniane – ai regjim duhet të ndryshojë në mënyrë të tillë që të reflektojë dëshirat e popullit të vet.”