• English
  • French
  • Deutch
  • Italian
  • Arab
  • Spanish
  • Albanian
  • Last Modified: Merkure 21 Gusht 2019, 13:53:25.
  • English
  • French
  • Deutch
  • Italian
  • Arab
  • Spanish
  • Albanian

Anijet Cisterna të Regjimit Iranian po Humbasin Flamujt por Vazhdojnë t’u Shmangen Sanksioneve Amerikane

 

Shkruar nga Shahriar Kia 

Presioni ekonomik po shtohet mbi eksportet e naftës së regjimit iranian ndërkohë që disa vende të cilat i vënë “flamujt e tyre të lehtësisë” mbi anijet iraniane cisterna për t’i lejuar ato të lundrojnë në mënyrë të ligjshme, kanë hequr nga lista dhjetëra cisterna si pjesë të një fushate botërore presioni mbi transportin detar të regjimit iranian.

Panamaja, shteti flamur më i rëndësishëm në botë, ka hequr 59 anije cisterna të lidhura me regjimet në Iran e Siri këtë vit; gjë që është mirëpritur nga SHBA, e cila kërkon t’i çojë në zero eksportet e naftës të regjimit iranian, sipas Reuters. Panamaja dhe disa shtete flamur të tjera janë duke shqyrtuar regjistrat e tyre për t’u siguruar që të veprojnë në përputhje me sanksionet amerikane.

Të paktën 59 anije cisterna iraniane janë hequr nga listat që në janar, gjë që normalisht nënkupton që këto anije e humbasin siguracionin dhe ndalohen të hyjnë në disa porte. Njëra prej anijeve që Panamaja ka hequr nga lista, Grace 1, është kapur nga Mbretëria e Bashkuar teksa regjimi i Iranit përpiqej të dërgonte naftë në Siri në shkelje të sanksioneve të BE-së.

Edhe pse regjimi iranian mund t’i ketë ri-regjistruar disa anije nën shtete flamur të tjera, shumë vende ia kanë frikën shkeljes së sanksioneve amerikane. Në shumë raste, regjimit iranian i është dashur t’i ri-listojë anijet nën flamurin e vet, gjë që sjell probleme. Siguracioni duhet të bëhet nga firmat iraniane, ngarkesat do të vonohen në dogana, dhe shumë vende nuk janë të gatshme të bëjnë biznes me Iranin apo as t’ua lejojnë anijeve të tij të lundrojnë përmes ujërave të tyre territoriale, që do të thotë se anijeve cisterna u duhet të bëjnë rrugë më të gjata e më të rrezikshme. Edhe ata që i regjistrojnë anijet mund t’u nënshtrohen sanksioneve.

Një përfaqësues në Departamentin amerikan të Shtetit tha: “Jemi duke vazhduar t’i pengojmë dërgesat e paligjshme të naftës nga Forcat Qods, dërgesa që u sjellin dobi grupeve terroriste si Hezbollah, si dhe regjimit të Assad-it (në Siri). Afërsisht 80 cisternave të përfshira në veprimtari të sanksionueshme u janë mohuar flamujt që u duhen për të lundruar.”

Forca Qods është një njësi e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të regjimit iranian, e cila menaxhon operacionet e IRGC-së jashtë vendit. Të dyja janë të etiketuara si grupe terroriste në SHBA.

Sanksionet po funksionojnë

Edhe pse regjimi iranian është betuar se do t’i kundërshtonte sanksionet amerikane mbi eksportet e tij të naftës, provat tregojnë se Teherani ka eksportuar vetëm afro 300,000 fuçi nafte në ditë (bpd) në qershor, një shifër shumë më e ulët sesa 2.5 milion bpd që eksportonte para se SHBA të dilte nga pakti ndërkombëtar bërthamor  i 2015-ës dhe të rivendoste sanksionet.

Megjithatë ka prova se regjimi i Iranit mund të jetë duke përdorur transferime nga anija në anije, që do të thotë se një anije ankorohet pranë një tjetre dhe transferon ngarkesa të panjohura jashtë portit, ku nuk ka dokumentacion, në mënyrë që të lëvizë naftën dhe t’u shmanget sanksioneve.

Stampa Email

Copyright © 2018 NCRI - National Council of Resistance of Iran. All Rights Reserved.