Friday, March 29, 2024

Mbi 200 të vrarë në kryengritjen e Iranit

Znj. Rajavi i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së që ta thërrasë Këshillin e Sigurisë në një Seancë

Kryengritja në Iran – Nr. 19

Mbi 200 protestues janë vrarë gjatë kryengritjes mbarëkombëtare të popullit iranian. Mijëra protestues janë plagosur. Më 17 nëntor 2019, Garda Revolucionare tha se 1,000 janë arrestuar, megjithatë numri i vërtetë është shumë më i lartë.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, që ta informojë Këshillin e Sigurisë mbi mizoritë e kryera nga diktatura fetare që sundon Iranin, Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei, dhe IRGC, për sa i përket numrit në rritje të të vrarëve dhe të plagosurve. Ajo i bëri thirrje që ta thërrasë Këshillin në një seancë të jashtëzakonshme.

 

Është absolutisht e papranueshme heshtja përballë krimeve kundër njerëzimit që kryhen në Iran çdo ditë, theksoi znj. Rajavi, duke shtuar se Këshilli i Sigurisë duhet t’i deklarojë regjimin dhe liderët e tij si përgjegjës për krime kundër njerëzimit, për të cilat ata duhet të përballen me drejtësinë.

 

Martirët janë kryesisht të rinj e adoleshentë, shumë prej tyre të qëlluar në kokë e gjoks. Numri i të vrarëve është në fakt shumë më i lartë. Regjimi po përdor një shumëllojshmëri hilesh për ta fshehur shifrën e vërtetë. Në shumë raste, forcat shtypëse nuk ua dorëzojnë familjeve trupat e të vdekurve dhe refuzojnë madje t’i çojnë ata tek mjeku ligjor, por i varrosin në vende të panjohura.

 

Sekretariati i Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit

18 nëntor 2019