Thursday, March 28, 2024

Pyetje & Përgjigje: Presidentja e Zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Maryam Rajavi

Nga The Washington Times – – E enjte, 13 gusht 2020

ANALIZË/OPINION:Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, organizatës më të madhe të disidentëve iranianë në botë, e cila kërkon ta zëvendësojë regjimin teokratik të Iranit me një demokraci, ka dhënë përgjigjet e mëposhtme ekskluzive ndaj pyetjeve të Washington Times.

The Washington Times: Në çfarë mënyre ndryshon tubimi i organizatës suaj këtë vit nga tubimet e mëparshme që keni organizuar gjatë 17 viteve të fundit? Çfarë shpresojnë të arrijnë udhëheqja e organizatës dhe pjesëmarrësit në mbledhjen e këtij viti, dhe çfarë mesazhi kanë ata për Komunitetin Ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara?

Znj. Rajavi: Tubimi i përvitshëm sivjet po bëhet pas zhvillimeve madhore që u shpalosën gjatë vitit të shkuar. Këto zhvillime përfshijnë: kryengritjen e madhe të nëntorit 2019, gjatë së cilës njerëzit kërkuan përmbysjen e regjimit; kryengritjen e janarit 2020, ku në slloganet e tyre, njerëzit refuzuan edhe regjimin e Shahut (monarkinë), edhe regjimin e mullahëve, dhe kërkuan që në vend të tyre të themelohej një republikë e bazuar në të drejtën universale të votës; zgjedhjet parlamentare të regjimit u refuzuan përmes një bojkoti mbarëkombëtar; katastrofa e koronavirusit ua ka marrë jetën 70,000 bashkatdhetarëve tanë si rezultat i politikave kriminale të regjimit; kriza ekonomike ka vazhduar të thellohet, me një inflacion prej 50% dhe një rënie prej 30% në vlerën e monedhës kombëtare vetëm gjatë këtyre pak muajve të fundit.

Me pak fjalë, regjimi është në një pozitë shumë më të dobët e të brishtë krahasuar me vitin e shkuar; është shumë më i ekspozuar, dhe shoqëria duket qartë se është në prag të një shpërthimi të vërtetë. Pra, regjimi është më afër përmbysjes se kurrë më parë.

Në rrethana të tilla, ky tubim mbart tre mesazhe parësore.

Së pari, ai i jep regjimit klerikal mesazhin se pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tij për ta eliminuar fizikisht Rezistencën Iraniane, së bashku me fushatën e gjerë e të mirë-financuar të demonizimit, sot Rezistenca është më e fortë, më e bashkuar, dhe më e vendosur se kurrë më parë për ta përmbysur regjimin në tërësinë e tij.

Së dyti, ky tubim i jep popullit iranian mesazhin se Mujahedeen-e Khalq (PMOI/MEK) dhe Rezistenca, veçanërisht Njësitë e Rezistencës brenda Iranit, i qëndrojnë përkrah atij dhe e mbështesin kryengritjen e popullit për ta përmbysur teokracinë dhe për të arritur fitoren përfundimtare duke qëndruar sup më sup me njëri-tjetrin.

Dhe së treti, tubimi i jep komunitetit ndërkombëtar mesazhin se ekziston një alternativë e fortë e cila garanton tranzicionin e Iranit nga një teokraci në një republikë demokratike e jo-bërthamore të bazuar në ndarjen e fesë nga shteti dhe në barazinë gjinore.

Komuniteti ndërkombëtar duhet ta njohë dhe ta pranojë të drejtën e popullit iranian për rezistencë kundër këtij regjimi mesjetar dhe për ta çrrënjosur atë njëherë e mirë.

The Washington Times: A mendoni se politika e “Presionit Maksimal” e administratës Trump po funksionon për t’ia ndryshuar sjelljen regjimit iranian brenda vendit, dhe a po funksionon ajo për ta frenuar ndikimin malinj të Iranit në Lindjen e Mesme? Në mënyrë më specifike, a po funksionon politika aktuale e SHBA për ta kufizuar përdorimin e terrorizmit nga Irani ndaj kundërshtarëve të tij, dhe për t’i kufizuar programet balistike e bërthamore të Iranit, si dhe veprimtari të tjera kriminale të tij?

Znj. Rajavi: Përvoja e katër dekadave të fundit na ka mësuar se e vetmja politikë e efektshme dhe produktive kundër regjimit klerikal është një politikë solide dhe e vendosur. Mohimi i aksesit ndaj burimeve dhe mundësive për regjimin, dhe moslejimi që ai të përfitojë lehtësira ekonomike dhe politike, janë të domosdoshme për të konfrontuar terrorizmin dhe agresionin e tij, si dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar armë bërthamore.

Kjo është gjithashtu në përputhje me interesat e popullit iranian. Mbushja e sënduqeve financiare të regjimit është e barasvlefshme me shtimin e shtypjes kundër popullit iranian dhe me një përshkallëzim në eksportimin e terrorizmit e luftënxitjes në rajon.

E kemi thënë gjithmonë dhe e përsërisim se regjimi nuk duhet të lejohet të posedojë as edhe një plumb të vetëm. Ai nuk duhet të lejohet të korrë përfitimet financiare as të shitjes së një fuçie të vetme me naftë, që i përket popullit iranian.

Një orë pas shpalljes së firmosjes së Planit të Përbashkët të Veprimit (JCPOA) më 14 korrik 2015, unë deklarova se përmbyllja e dispozitave të gjashtë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk do t’ia parandalojë regjimit posedimin e bombës.

Ajo që është e domosdoshme për të mos e lejuar regjimin të posedojë një armë bërthamore mund të përmblidhet në rikthimin e sanksioneve, rivendosjen e gjashtë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, eliminimin e plotë të aftësive të regjimit për pasurimin e uraniumit, mbylljen e qendrave bërthamore të regjimit, dhe bërjen e inspektimeve kudo dhe në çdo kohë.

Më lejoni të nënvizoj edhe një aspekt tjetër. Së shpejti në Belgjikë do të nisin procedimet gjyqësore për një diplomat të regjimit. Ai ka qenë organizatori i një komploti të madh terrorist në qershor 2018. Kjo është ndoshta hera e parë që një diplomat gjykohet për përfshirje në një komplot terrorist. Ai i ka kaluar dy vitet e fundit prapa hekurave, së bashku me tre bashkëpunëtorë të tjerë terroristë.

Ai është oficer i lartë i Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë (MOIS) të regjimit iranian dhe ka qenë komandant i një komploti për shpërthimin e një bombe në tubimin e përvitshëm të Rezistencës Iraniane në Paris. Shënjestrat ishim unë dhe personalitete të larta europiane e amerikane të pranishëm në tubim. Po të mos ishte zbuluar dhe parandaluar në minutën e fundit, ky komplot do të kishte rezultuar në aktin terrorist më të madh e më vdekjeprurës në tokën europiane.

Sigurisht, terrorizmi ka qenë pjesë e strategjisë së mbijetesës së regjimit dhe vegla më e rëndësishme e politikës së jashtme për të që në fillim. Por vitet e fundit, situata ka ndryshuar, duke krijuar një nevojë më të madhe për regjimin që t’i drejtohet terrorizmit, sidomos kundër asaj që përbën alternativën legjitime dhe të fuqishme ndaj tij, pasi regjimi është bërë gjithnjë e më i dobët e i brishtë. Kjo është arsyeja pse, pas kryengritjes së 2017-ës ku ai dëgjoi këmbanën e vdekjes së vet, regjimi organizoi dy operacione të rëndësishme terroriste kundër lëvizjes sonë, njërin me plan për ta ekzekutuar në Paris, dhe tjetrin me plan për ta realizuar në festimet e Vitit të Ri të mijëra anëtarëve të MEK në Shqipëri në mars 2018, një grumbullim ku ishim të pranishëm edhe unë dhe Kryebashkiaku Giuliani. A do të shërbenin për gjë tjetër toleranca dhe paqësimi ndaj këtij lloj regjimi përveçse për ta inkurajuar edhe më tej terrorizmin e tij? Një politikë e vendosur është e vetmja përgjigje.

The Washington Times: Cili është statusi i lëvizjes “opozitare” brenda dhe jashtë Iranit, dhe në mënyrë specifike i “rezistencës” në Iran duke patur parasysh zhvillimet e vitit të shkuar? Muajt e fundit, zyrtarë të lartë të qeverisë janë shprehur të alarmuar për sa i përket faktit që iranianët e brezave të rinj po u bashkohen radhëve të rezistencës. A ka patur një shtim të arrestimeve të iranianëve, përfshirë dy studentë elitarë dhe fitues të çmimeve, për faktin që kanë patur lidhje me Mujahedeen-e Khalq (MEK)? Nëse po, si e shpjegoni këtë vëmendje të re ndaj lëvizjes suaj?

Znj. Rajavi: MEK ka udhëhequr një përpjekje kundër dy diktaturave të Shahut dhe Sheikh-ut (mullahëve), duke sakrifikuar mbi 100,000 martirë. Anëtarët e MEK janë individë vetëmohues me një fokus të palëkundshëm në idealin e lirisë. Ata nuk duan asgjë për vete. Për këtë arsye, ata kanë një vend të veçantë për popullin iranian. Ngritja dhe përhapja e Njësive të Rezistencës gjatë këtyre pak viteve të fundit, dhe sidomos roli që ato luajtën në kryengritjet e 2017-ës dhe 2019-ës, i kanë shndërruar këto njësi në një instrument shprese dhe frymëzimi për popullin iranian. Planet dhe platformat e prezantuara nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI), i cili ka MEK-un si komponentin kryesor të tij, e kanë mbushur popullin iranian me shpresë për të ardhmen demokratike të Iranit.

Në të njëjtën kohë, populli iranian dhe sidomos brezi i ri, e kanë kuptuar se për sa kohë që ky regjim të mbetet në pushtet, problemet e vendit nuk do të zgjidhen kurrë. Nuk ka mundësi tjetër përveçse të përmbyset ky regjim, dhe MEK qëndron në pararojë të implementimit të kësaj politike. Kjo është arsyeja pse, pavarësisht se regjimi shpenzon biliona dollarë për të ecur përpara me propagandën e tij të zezë e djallëzore kundër MEK, mesazhi i kësaj lëvizjeje të rezistencës vazhdon të kumbojë brenda Iranit. Nuk kalon asnjë ditë pa prodhimin e një filmi apo hapjen e një ekspozite apo shkrimin e një libri nga regjimi për ta denigruar e për të shpifur kundër Rezistencës Iraniane.

Megjithatë, brezat e lindur pas revolucionit, pavarësisht propagandës së regjimit, po tërhiqen dhe orientohen ndaj MEK dhe Rezistencës Iraniane. Në 1988-ën, 30,000 të burgosur politikë, 90% e të cilëve ishin anëtarë të MEK, u masakruan me urdhër të Khomeini-t. Ky ishte një gjenocid. Dhe sot, fëmijët e po atij brezi po ndjekin gjurmët e etërve, nënave, vëllezërve e motrave të tyre.

The Washington Times: Ka prova të konsiderueshme që tregojnë se kryengritja në nëntor 2019 është shtypur me dhunë nga qeveria iraniane, ne shumë raporte që thonë se të paktën 1,500 njerëz janë vrarë dhe rreth 12,000 janë arrestuar. Përballë një brutaliteti dhe shtypjeje të tillë nga ana e regjimit, sa shanse mendoni se ka opozita për ta përmbysur regjimin?

Znj. Rajavi: Kryengritja që kulmoi në nëntor 2019 as nuk është shtypur dhe as nuk është zhdukur. Shkaqet kryesore që kanë kontribuar në shpërthimin e këtyre protestave jo vetëm që ekzistojnë ende, por edhe janë intensifikuar dhe forcuar. Ka një tendencë shpërthyese dhe një zhgënjim të përhapur brenda në shoqëri, ka një opozitë dhe alternativë të fortë, dhe regjimi është i falimentuar, i mbytur në kriza, dhe po lëkundet nën peshën e sanksioneve. Nuk ka asnjë sasi represioni apo vrasjesh që mund ta parandalojë një kryengritje. Pikërisht ashtu siç nuk mundi diktatura e korruptuar e Shahut (përpara regjimit të mullahëve) t’i parandalonte me anë të shtypjes gjakatare kryengritjet shoqërore dhe përmbysjen e saj përfundimtare. Kushtet e sotme kanë një ndryshim të konsiderueshëm në krahasim me ato të viteve 1970. Gjatë revolucionit të 1979-ës, për shkak të shtypjes së Shahut dhe policisë sekrete SAVAK, forcat demokratike si MEK ose ekzekutoheshin ose ishin në burgje, duke i dhënë kështu Khomeini-t dhe mullahëve mundësinë që ta rrëmbenin udhëheqjen e revolucionit anti-monarkik pa paguar as çmimin më të vogël për të. Ndërsa sot, një opozitë e fuqishme dhe një alternativë si MEK dhe NCRI ekziston në peizazhin politik.

Për shkak të natyrës së tij reaksionare, korrupsionit të rrënjosur në shtet, paaftësisë absolute dhe konflikteve mes grupimeve në udhëheqje, Teherani nuk ka mundur kurrë dhe nuk mundet as tani t’i zgjidhë problemet e shumta politike, ekonomike dhe shoqërore që kanë mbërthyer shoqërinë e sotme iraniane. Këto ditë, shumë nga zyrtarët e regjimit paralajmërojnë vazhdimisht për shtim të kryengritjeve e protestave nga ushtria e miliona njerëzve të uritur e të varfër.

The Washington Times: Duke patur parasysh zgjedhjet e fundit parlamentare në Iran, cila është pikëpamja juaj në lidhje me ndikimin e liderit suprem Ali Khamenei në të ardhmen? A prisni që regjimi aktual të mbijetojë nëse Khamenei vdes? Çfarë pasojash do të kishte një zhvillim i tillë për lëvizjen tuaj?

Znj. Rajavi: Nuk ka dyshim që tre kryengritjet madhore që shpërthyen në dhjetor 2017, nëntor 2019 dhe janar 2020, në të cilat miliona njerëz shfaqën vendosmërinë e tyre të plotë për ta përmbysur regjimin, e kanë dobësuar në mënyrë të konsiderueshme pozicionin e liderit suprem më shumë se kurrë më parë, deri në atë pikë saqë as anëtarët e vetë grupimeve të regjimit nuk i marrin më seriozisht fjalët dhe urdhrat e tij. Zgjedhjet parlamentare shënuan një disfatë të madhe për Khamenei-n dhe regjimin e tij pasi ata u përballën me një bojkot të paprecedent nga ana e të gjithë iranianëve. Në të njëjtën kohë, duke i ngushtuar radhët e tij dhe duke larguar grupimin rival, Khamenei e ka ngushtuar edhe më tej bazën shoqërore të regjimit, duke e bërë atë më të dobët e më të brishtë. Është pa dyshim e vërtetë që vdekja e Khamenei-t do të krijojë një krizë të pakapërcyeshme për regjimin, pasi të gjitha politikat e brendshme dhe të jashtme të regjimit kanë qenë të bazuara në parimin e velayat-e faqih (sundim absolut klerikal) dhe në sundimin absolut të Khamenei-t. Nëse ai largohet nga skena, ky themel do të shkatërrohet dhe nuk mbetet më askush tjetër që të mundet thjesht ta zëvendësojë atë. Ky eventualitet do të sjellë si rrjedhojë edhe më shumë mosmarrëveshje dhe tensione brenda regjimit dhe do të çojë në një valë më të gjerë e më të përshpejtuar dezertimesh mes forcave të regjimit, sidomos në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe Forcat Bassij. Kjo për shkak se këto forca e fitojnë legjitimitetin e tyre të perceptuar dhe arsyen e ekzistencës së tyre nga lideri suprem. Vdekja e Khamenei-t do ta përshpejtojë pa dyshim dhe në mënyrë të konsiderueshme rrugën drejt shembjes së regjimit, duke e sjellë më afër perspektivën e përmbysjes së tij.

The Washington Times: Sipas paktit bërthamor me Iranin, embargo e armëve kundër Iranit do të hiqet në vjeshtë të këtij viti. A ka ndonjë veprim specifik, sipas jush, që duhet të ndërmerret nga komuniteti ndërkombëtar dhe administrata Trump lidhur me këtë dhe si përgjigje ndaj testimeve të vazhdueshme të raketave balistike nga Irani dhe mungesës së bashkëpunimit të tij me IAEA?

Znj. Rajavi: Ne e kemi thënë gjithmonë dhe e përsërisim se ky regjim nuk duhet të lejohet të posedojë as edhe një plumb të vetëm. Ai nuk duhet të sigurojë fitime as nga një fuçi e vetme nafte iraniane. Dhe nuk duhet të shpenzojë për mbijetesën e vet as edhe një dollar të vetëm nga të ardhurat që i përkasin popullit iranian. Rezistenca Iraniane bën thirrje për rikthimin e gjashtë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër këtij regjimi. Ne theksojmë nevojën për zgjerimin e sanksioneve ndërkombëtare lidhur me çdo formë të tregtisë së armëve me regjimin. Për më tepër, sipas pikëpamjes së Rezistencës Iraniane, komuniteti global duhet ta njohë dhe ta pranojë të drejtën e popullit iranian për të luftuar kundër tiranisë fetare. Udhëheqësit e regjimit duhet të nxirren në gjyq në gjykata ndërkombëtare për vrasjen e 120,000 njerëzve në Iran, duke përfshirë masakrën ndaj 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën, si dhe vrasjen e 1,500 iranianëve në nëntor 2019.

Ky fragment është marrë nga një artikull i shkruar nga stafi i Washington Times dhe i publikuar për herë të parë online më 15 korrik 2020.