Saturday, October 16, 2021

iran-ebrahim-raisi-1988-massacre-min

Inaugurimi i Ebrahim Raisi-t si president i ri më 5 gusht shënoi kulmin e më shumë se 30 viteve pandëshkueshmëri si për të, ashtu edhe për regjimin në tërësi. Në 1988-ën, ndërkohë që shërbente si zëvendës prokuror i Teheranit, Raisi u bë një nga katër figurat në krye të një masakre ndaj të burgosurve politikë e cila vazhdoi për tre muaj dhe ua mori jetën të paktën 30,000 njerëzve. Shumë ekspertë ligjorë e kanë quajtur këtë masakër si një nga krimet më të rënda të fundit të shekullit të 20-të kundër njerëzimit, dhe thonë se ajo i plotëson kriteret për t’u ndjekur penalisht si rast gjenocidi. E megjithatë, askujt nuk i është kërkuar ndonjëherë llogari për këto vrasje, dhe kjo i ka dhënë guxim regjimit që t’i shpërblejë autorët e masakrës me poste gjithnjë e më me pushtet e ndikim.

Me caktimin e Raisi-t si president, ky proces pothuajse ka arritur kulmin e tij. “Zgjedhja” e tij më 18 qershor ka qenë e orkestruar nga Lideri Suprem i regjimit, Ali Khamenei, i cili e kishte urdhëruar Këshillin e Gardianëve që të ushtronte autoritetin e tij të vetingut duke eliminuar nga gara të gjithë kandidatët e tjerë që përbënin konkurrencë. Kjo ishte pjesë e një procesi më të gjerë të konsolidimit të pushtetit nga Khamenei, proces që kishte përfshirë gjithashtu eliminimin e kandidatëve të fraksionit rival gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit të mëparshëm.

Khamenei ishte president i regjimit në kohën e masakrës së 1988-ës dhe si rrjedhim, ka qenë i përfshirë thellë në kryerjen e saj dhe në fshehjen e fakteve. Tani, presidenca e Raisi-t sinjalizon një tjetër evolucion në shprehjen e pandëshkueshmërisë nga ana e regjimit. Kjo është arsyeja kryesore pse është jetike që komuniteti ndërkombëtar t’ia mohojë Raisi-t legjitimitetin në skenën botërore duke refuzuar pjesëmarrjen e tij në Asemblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe duke ia mohuar atij aksesin në shtetet ku ai pretendon të bëjë vizita shtetërore.

Një tjetër mënyrë është që çdo komb që ka angazhim serioz ndaj çështjeve njerëzore t’i japë akses Raisi-t, dhe më pas të lëshojë një urdhër arresti për aktet e vrasjeve në masë dhe gjenocidit të kryera prej tij. Ky ishte rekomandimi i ofruar nga ekspertët ligjorë muajin e shkuar, gjatë pjesëmarrjes në një konferencë virtuale mbi masakrën e 1988-ës, të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit.