Thursday, March 28, 2024

Amnesty International: Forcat e Regjimit Iranian Kanë Qëlluar Mbi Njerëzit që Protestonin ndaj Rrëzimit të Avionit Ukrainas

Në një raport të publikuar më 15 janar, Amnesty International ka konfirmuar përdorimin e dhunës nga regjimi iranian kundër protestuesve paqësorë që protestonin ndja rrëzimit të avionit ukrainas nga regjimi, ngjarje që shkaktoi 176 viktima.

“Videot e verifikuara, fotot dhe dëshmitë nga viktimat e dëshmitarët në terren të marra nga Amnesty International konfirmojnë se forcat iraniane të sigurisë kanë përdorur forcë të paligjshme kundër protestuesve paqësorë të grumbulluar në mbarë Iranin pas pohimit nga autoritetet se kishin qëlluar dhe rrëzuar një avion ukrainas pasagjerësh më 8 janar,” lexon raporti.  

“Provat tregojnë se më 11 e 12 janar, forcat e sigurisë kanë qëlluar me saçme me majë nga pushkë me ajër të ngjeshur, të cilat përdoren zakonisht për gjueti, kundër protestuesve paqësorë, duke shkaktuar gjakderdhje e plagë të dhimbshme. Forcat e sigurisë kanë përdorur gjithashtu plumba gome, gaz lotsjellës e spërkatës irritues për t’i shpërndarë protestuesit, si dhe i kanë gjuajtur me këmbë e me grushta, i kanë rrahur me shkopinj dhe kanë kryer arrestime arbitrare,” shton raporti.

“Është skandaloz fakti që forcat iraniane të sigurisë kanë shtypur në mënyrë të dhunshme protestat paqësore të zhvilluara nga njerëz që kërkonin drejtësi për 176 pasagjerët e vrarë në avion, dhe që shprehnin zemërimin e tyre ndaj faktit që autoritetet iraniane në fillim e mbuluan përgjegjësinë e tyre,” tha Philip Luther, Drejtori i Kërkimit dhe Mbrojtjes për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore në Amnesty International.  

Amnesty International ka konfirmuar gjithashtu se “forcat e sigurisë kanë qëlluar me saçme me majë, duke shkaktuar plagë të dhimbshme që kërkojnë trajtim kirurgjikal për heqjen e saçmeve, si dhe plagë që përputhen me përdorimin e plumbave prej gome. Këto saçme përdoren për të gjuajtur kafshë të vogla dhe janë krejtësisht të papërshtatshme për t’u përdorur në çfarëdo situate policimi.” 

“Forcat e sigurisë dhe inteligjencës po mbajnë një prani të dendur në disa spitale, gjë që ka ngritur frikën se duan të arrestojnë pacientë. Amnesty International ka marrë gjithashtu informacione se forcat e sigurisë janë përpjekur t’i transferojnë disa protestues të plagosur në spitale ushtarake. Disa klinika mjekësore dhe spitale në Teheran i kanë larguar të plagosurit duke u thënë se,  nëse forcat e sigurisë dhe inteligjencës zbulojnë se ata kanë qenë protestues, do t’i arrestojnë,” lexon raporti. 

Duke iu referuar arrestimeve arbitrare dhe përdorimit të dhunës nga regjimi kundër protestuesve të arrestuar, Amnesty shton: “Raportohet se disa dhjetëra njerëz, përfshirë studentë universiteti, janë arrestuar në qytetet ku janë bërë protestat, si Ahvaz në provincën Khuzestan; Esfahan, provinca Esfahan, Zanjan, provinca Zanjan; Amol dhe Babol, provinca Mazandaran; Bandar Abbas, provinca Hormozgan; Kermanshah, provinca Kermanshah; Sanandaj, provinca Kurdistan; Mashhad, provinca Razavi Khorasan; Shiraz, provinca Fars; Tabriz, provinca e Azerbaixhanit Lindor; dhe Teheran.” 

Amnesty i referohet gjithashtu “akuzimeve tronditëse për dhunë seksuale kundër të paktën një gruaje të arrestuar arbitrarisht nga agjentët e sigurisë me veshje civile dhe të mbajtur për disa orë në një stacion policie. Sipas një burimi të informuar, ndërkohë që ishte nën arrest, gruaja është dërguar në një dhomë ku është marrë në pyetje nga një zyrtar sigurie i cili e ka detyruar të kryejë seks oral me të dhe është përpjekur ta përdhunojë.”  

Regjimi misogjinist që sundon Iranin e përdor dhunën seksuale kundër grave në burgje për t’i frikësuar ato ose për t’i detyruar të dorëzohen.  

“Autoritetet iraniane duhet t’i japin fund urgjentisht represionit dhe të garantojnë që forcat e sigurisë të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe t’i respektojnë të drejtat e protestuesve për shprehje dhe grumbullim paqësor. Të arrestuarit duhet të mbrohen nga tortura dhe keqtrajtimet e tjera dhe të gjithë ata që janë arrestuar arbitrarisht duhet të lirohen,” lexon raporti ku citohet Philip Luther.  

Sfondi  

Më 8 janar, Garda Revolucionare (IRGC) e regjimit iranian qëlloi dhe rrëzoi një avion ukrainas pasagjerësh, duke shkaktuar vdekjen e 176 njerëzve. Pas tre ditësh rresht mohimi, regjimi u detyrua, për shkak të provave të pamohueshme dhe presionit ndërkombëtar, ta pranonte krimin e tij. Më 11 janar shpërthyen protesta masive studentore në shumë qytete iraniane. Këto protesta kishin në shënjestër autoritetet më të larta të regjimit në slloganet e tyre, duke përfshirë liderin suprem të regjimit, Ali Khamenei, për vrasjen e pasagjerëve të pafajshëm të avionit ukrainas. Këto protesta theksuan edhe një herë dëshirën e popullit iranian për ta rrëzuar këtë regjim, të cilin e sheh si rrënjën e të gjitha problemeve ekonomike e shoqërore.