Thursday, July 9, 2020

Britania Ndalon Anije-Cisternën e Naftës së Regjimit Iranian, që po Përpiqej t’i Anashkalonte Sanksionet e BE-së

Shkruar nga Amir Taghati

Flota Mbretërore Britanike ka ndaluar një anije-cisternë gjigante nafte që i përket regjimit iranian në Gjibraltar të enjten për arsye se po përpiqej të çonte naftë në Siri duke shkelur kështu sanksionet e Bashkimit Europian.

Cisterna Grace 1 u konfiskua në territorin britanik të cepit jugor të Spanjës pasi kishte lundruar përreth Afrikës, duke përshkuar rrugën e gjatë nga Lindja e Mesme drejt hyrjes së detit Mesdhe.

Ministria e Jashtme e regjimit iranian e ka thirrur ambasadorin britanik për të shprehur “kundërshtimin e saj shumë të fortë ndaj këtij konfiskimi të paligjshëm e të papranueshëm” të anijes së tyre. Ky gjest diplomatik hoqi çdo dyshim mbi faktin se anija është në pronë të regjimit iranian, anije që mbart një flamur të Panamasë dhe është e listuar si në menaxhim të një kompanie në Singapor.

Pas konfiskimit, Autoriteti Detar i Panamasë tha të enjten se Grace 1 nuk listohej më në regjistrin ndërkombëtar të anijeve të Panamasë që nga 29 maji.

Autoriteti i Panamasë shtoi se Grace 1 ishte hequr nga lista pas marrjes së një informate se anija kishte marrë pjesë apo ishte e lidhur me financimin e terrorizmit.

Të enjten, këshilltari i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, e mirëpriti konfiskimin nga Britania të kësaj cisterne të naftës, duke thënë se SHBA dhe aleatët e saj do të vazhdojnë të mos i lejojnë regjimet e Sirisë dhe Iranit “të përfitojnë nga kjo tregti e paligjshme.”

Bolton tha në Twitter: “Lajm i shkëlqyer: Britania ka ndaluar super-cisternën Grace I, e cila ishte e ngarkuar me naftë iraniane dhe e drejtuar për në Siri, në shkelje të sanksioneve të BE-së. Amerika & aleatët tanë do të vazhdojnë të mos i lejojnë regjimet në Teheran & Damask të përfitojnë nga kjo tregti e paligjshme.”

 

Të dhënat e transportit detar të shqyrtuara nga Reuters tregojnë se kjo anije-cisternë mbante naftë iraniane që ishte ngarkuar në bregun iranian, edhe pse dokumentat e saj thonë se nafta vjen nga Iraku fqinj.

Edhe pse Europa i ka ndaluar transportet e naftës drejt Sirisë që nga viti 2011, nuk kishte konfiskuar asnjëherë një anije-cisternë në det.