Friday, April 3, 2020

Çmimet e Naftës Rriten për Shkak të Sanksioneve mbi Iranin por Mund të Menaxhohen

Shkruar nga Amir Taghati më 24 prill 2019.

Nga Amir Taghati

Çmimet e naftës arritën shifrën më të lartë në gjashtë muaj të martën pasi Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi se do t’u jepte fund lehtësimeve të sanksioneve për vendet që importojnë naftë iraniane.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo tha: “Do të shkojmë në zero. Do të vazhdojmë t’i imponojmë sanksionet dhe të monitorojmë zbatimin e tyre. Çdo komb apo entitet që ndërvepron me Iranin duhet të ketë kujdes dhe të tregojë maturi. Do të ketë thjesht më shumë rreziqe se sa përfitime.”

Lehtësimet, të cilat janë dhënë për tetë importuesit më të mëdhenj të krudos iraniane – Kina, India, Japonia, Turqia, Taivani, Greqia, Italia, dhe Korea e Jugut – do të skadojnë më 2 maj.

Kjo gjë nënkupton një humbje të parashikuar prej 700,000 deri në 800,000 fuçi nafte në ditë, sipas bankës globale të investimeve, RBC Capital Markets, ndërsa oferta e naftës po ngushtohet ndërkohë që kërkesa sezonale rritet në Hemisferën Veriore dhe në tregje të tjera, si Venezuela dhe Libia, të izoluara për shkak të trazirave të brendshme.

Sanksionet u rikthyen pasi Donald Trump e tërhoqi SHBA-në vitin e shkuar prej paktit bërthamor të 2015-ës, por për t’iu shmangur një rritjeje të madhe çmimesh, u bënë lehtësime.

Disa ekspertë parashikojnë se nafta mund të rritet deri në $80 për fuçi tani, por kini parasysh se administrata Trump mund të nxjerrë në treg naftë nga Rezerva Strategjike Amerikane e Petroleumit për të mos lejuar rritjen e çmimeve.