Thursday, March 28, 2024

Ekonomia e Iranit Vuan nga Efektet e Korrupsionit, Jo të Sanksioneve IRGC e Iranit kontrollon projekte të mëdha ndërtimi

Iran's IRGC planning for huge construction project

Problemet ekonomike të Iranit ka shumë vite që po përkeqësohen vazhdimisht. Zyrtarët iranianë kanë bërë përpjekje të koordinuara për t’ua vënë fajin për këtë sanksioneve perëndimore, por kjo narrativë nuk merr në konsideratë faktin që kjo rënie ekonomike ishte në vazhdim e sipër edhe kur pakti bërthamor i 2015-ës me Iranin, apo Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, ishte në fuqi të plotë. Në fakt, ishte dhjetor 2017, disa muaj përpara se SHBA të tërhiqej nga marrëveshja dhe të fillonte rivënien e sanksioneve unilaterale, kur populli iranian zhvilloi të parën nga një varg kryengritjesh mbarëkombëtare, të nxitura pjesërisht nga problemet e shkaktuara prej rritjes së inflacionit, varfërisë dhe papunësisë.
Edhe pse ajo kryengritje mori përsipër me shpejtësi shpërndarjen e një mesazhi të gjerë politik, protesta e parë e saj ishte organizuar në qytetin Mashhad, si një përgjigje specifike ndaj përkeqësimit të treguesve ekonomikë. Demonstratat e mëpasshme e bënë të qartë që populli iranian ia atribuonte këtë trend keqmenaxhimit dhe korrupsionit qeveritar, dhe jo presionit të huaj. Në fakt, edhe pas rivënies dhe zgjerimit së sanksioneve amerikane në përputhje me strategjinë e “presionit maksimal” të administratës Trump mbi regjimin iranian, protestuesit dëgjoheshin rregullisht duke thirrur me sllogane si “Armiku ynë është këtu; gënjejnë kur thonë se është Amerika.”