Thursday, August 18, 2022

IRAN: Fjalimi i Khamenei-t dhe Lista Pa Mbarim e Krizave të Teheranit

Foto fajli

Më 30 janar, Udhëheqësi Suprem i regjimit iranian, Ali Khamenei, u ankua për krizën ekonomike të vendit, duke fajësuar zyrtarët e qeverisë, të emëruar drejtpërdrejt ose tërthorazi prej tij, për normën në rritje të inflacionit në vend.

Komentet e Khameneit ishin në kontrast të plotë me deklaratat e tij të mëparshme për “qëndrueshmëri ekonomike”, duke konfirmuar se pretendimi i regjimit për mbështetje te vetja është një mirazh.

“Nëse zyrtarët e qeverisë do të kishin bashkëpunuar më shumë gjatë viteve të fundit, ne mund të kishim arritur më shumë lavdi,” tha Khamenei. Por menjëherë e ktheu mbrapsht këtë duke thënë: “Sigurisht, statistikat makroekonomike të viteve 2010 janë relativisht të pakënaqshme. Statistikat dhe rritja e PBB-së, formimi i kapitalit, inflacioni, rritja e likuiditetit, strehimi, oferta e makinerive dhe çështje të ngjashme nuk janë të kënaqshme. Impakti në jetesën e njerëzve, për të cilën jemi vazhdimisht të shqetësuar, është i rrënjosur në këto çështje dhe fakte.”

Pavarësisht përpjekjeve të apologjetëve të regjimit për të lënë të kuptohet se krizat e mjerueshme ekonomike të Iranit janë shkaktuar nga sanksionet, Khamenei e pranoi se “shkaku kryesor i këtyre krizave nuk janë sanksionet. Vendimet e gabuara dhe mosveprimi luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e këtyre problemeve.”

Mediat shtetërore pranuan disa fakte në lidhje me situatën e mjerueshme financiare të Iranit dhe vështirësitë e njerëzve. “Banka Qendrore publikoi treguesit e ekonomisë së Iranit në tremujorin e dytë të vitit. Të dhënat e paraqitura në këtë raport konfirmojnë ngadalësimin e rritjes ekonomike në atë periudhë,” shkruante shtetërorja Jahan-e Sanat më 13 janar.

Sipas Jahan-e Sanat, “Një krahasim i normës së likuiditetit në vitet e fundit tregon se vëllimi i përgjithshëm i likuiditetit është rritur me 166 për qind nga viti 2018 deri në fund të shtatorit të këtij viti”.

“Arsyeja kryesore është se qeveria i është drejtuar gjithmonë bankës qendrore për të kompensuar defiçitin buxhetor. Sipas statistikave, borxhi i qeverisë ndaj bankës qendrore ka patur rritje të qëndrueshme gjatë gjithë vitit të kaluar, duke arritur në 50.8% në fund të 2021-it,” shton gazeta.

“Edhe pse Banka Qendrore nuk ka shpallur statistika të inflacionit që nga viti 2019, sipas Qendrës për Statistikat e Inflacionit, ai ende qëndron mbi 40%.”

Shkalla e papunësisë në Iran po rritet gjithashtu.

“Shkalla e papunësisë është 9,6 për qind në tremujorin e dytë të 2021-it. Është rritur me 0,8 për qind që nga pranvera,” shton Jahan-e Sanat.

“Bazuar në normën totale të papunësisë dhe inflacionit këtë verë, indeksi i mjerimit është 55,4%, një rritje prej 9,3% dhe 6,3% krahasuar përkatësisht me dimrin e kaluar dhe me këtë pranverë,” pranoi Jahan-e Sanat.

Me fjalë të tjera, miliona iranianë nuk mund të kenë një jetë të mirë dhe janë nën kufirin e varfërisë.

Ndërkohë që populli mezi fiton bukën e gojës, personat e lidhur me regjimin dhe familjarët e tyre bëjnë jetë luksoze. Lajmet dhe fotot e shtëpive luksoze dhe makinave të shtrenjta të zyrtarëve të regjimit qarkullojnë në internet, njëkohësisht me videot tronditëse të punëtorëve fëmijë iranianë që rrëmojnë nëpër kazanët e plehrave për ushqim.

Krizat aktuale ekonomike të Iranit, të shkaktuara nga paaftësia, korrupsioni dhe keqmenaxhimi i regjimit, e kanë kthyer shoqërinë në një fuçi baruti. Protestat e përditshme nga njerëz të të gjitha sferave të jetës dëshmojnë për këtë gjendje eksplozive. Shumë treguese është sidomos protesta e fundit mbarëkombëtare e mësuesve, të cilët zotohen t’i “Vazhdojnë protestat për të fituar” të drejtat e tyre.

I gjendur përballë një shoqërie të trazuar, Khamenei, i cili është vetë përgjegjës për këtë situatë katastrofike, flet për krizë ekonomike në përpjekje për të larguar vëmendjen e njerëzve nga burimi i vërtetë i korrupsionit, domethënë, kleptokracia në pushtet që ai vetë drejton. Megjithatë, parullat e njerëzve kundër regjimit në tërësi tregojnë se Khamenei ka dështuar dhe do të ketë kryengritje të tjera, siç vazhdojnë të paralajmërojnë mediat shtetërore dhe zyrtarët e qeverisë.

“Thirrja e ushtrisë së të papunëve, fabrikave të falimentuara, problemeve të sigurimit shoqëror, dhe bankave në kolaps, është e fortë dhe e qartë,” shkroi e përditshmja shtetërore Mostaghel më 31 janar.

“Kur korrupsioni institucionalizohet, trazirat serioze sociale janë të pashmangshme,” shkruan Mostaghel, duke cituar Mohammad Askari, një nga deputetët e regjimit.