Saturday, June 19, 2021

Iran: Marrëveshja me Kinën Tregon se Mullahët do ta Sakrifikonin të Gjithë Vendin për Pushtet

 

Protestë në rrugët e Teheranit kundër traktatit Kinë-Iran

Lideri i parë Suprem i regjimit iranian, Ruhollah Khomeini, pati thënë njëherë se, po të përballej me një situatë ku do t’i duhej ose ta braktiste sistemin që sundon vendin, ose të braktiste parimet islame, ai do të zgjidhte këtë të fundit. Ky ishte një pohim i jashtëzakonshëm i përparësive të këtij regjimi, dhe me këtë marrëveshje të re me Kinën, po demonstrohet edhe një herë kjo përparësi.

Nëse Khamenei është i gatshëm ta braktisë identitetin thelbësor të regjimit si një “Republikë Islamike,” atëherë çfarë nuk do të ishte i gatshëm të braktiste ai në mënyrë që ta mbërthente edhe më fort pushtetin në duar? Për katër dekada, çdo ndërmarrje madhore e regjimit dhe zyrtarëve të tij ka qenë në shërbim të vetvetes dhe në kundërshtim absolut me të mirën publike.

Mund të argumentohet se kjo gjë është bërë gjithnjë e më e dukshme vitet e fundit, gjatë të ciliave, rënia e thellë ekonomike dhe trazirat publike e kanë vënë sistemin në një pozicion tejet të pasigurt, që përpara se populli iranian të paralizohej nga pandemia e koronavirusit. Kjo krizë e shëndetit publik është keqmenaxhuar në mënyrë unike në Iran, dhe një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar mbetet e painformuar lidhur me shkallën e vërtetë të këtij keqmenaxhimi. Ministria iraniane e Shëndetësisë deklaron se kanë vdekur nga Covid-19 afërsisht 60,000 qytetarë në një komb me 83 milion njerëz, por vlerësimet e pavarura tregojnë se shifra e vërtetë është rreth katër herë më e lartë.

Në fakt, ndërkohë që serioziteti i krizës po fillonte të njihej në çdo cep të globit, zyrtarët iranianë po i nxisnin, madje edhe detyronin, punonjësit e qeverisë dhe qytetarët e rëndomtë që të merrnin pjesë në festimet publike të 40-vjetorit të regjimit. Pjesëmarrja e lartë në ato evente ishte jetike për propagandën shtetërore, pjesërisht për shkak se ato po zhvilloheshin nën hijen e të paktën tre kryengritjeve mbarëkombëtare. Më e madhja prej këtyre kryengritjeve, në nëntor 2019, u shtyp brutalisht nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, i cili hapi zjarr mbi turmat e protestuesve duke vrarë rreth 1,500 njerëz.