Tuesday, October 26, 2021

Mediat shtetërore: Një e treta e iranianëve jetojnë në varfëri absolute

A third of Iranians living in absolute poverty

Sipas një raporti të publikuar nga Ministria iraniane e Kooperativave, Punës, dhe Mirëqenies Sociale, rreth 26.5 milion njerëz, një e treta e popullsisë iraniane, jetonin në varfëri absolute në 2020-ën. Kjo është një rritje me 38% krahasuar me 2019-ën.

Në 2020-ën, inflacioni mesatar kishte arritur në 36.4%, por muajin e shkuar, inflacioni e tejkaloi shifrën 44%, duke arritur kështu një rekord të ri.

Ministria thotë se arsyeja kryesore e rritjes së inflacionit janë sanksionet dhe pandemia, që kanë shkaktuar rëndim të kushteve të jetesës për iranianët. Por në sanksionet amerikane ka qenë e deklaruar qartë që ato nuk do të viheshin mbi artikujt ushqimorë apo mjekësorë.

Regjimi e ka fajësuar gjithmonë SHBA-në për të gjitha dështimet e tij ekonomike, pavarësisht korrupsionit sistematik. Por edhe përpara sanksioneve, Irani vuante nga një ekonomi në rënie. Shumë besojnë se sanksionet nuk kanë luajtur një rol të madh tek tendenca në rënie e ekonomisë iraniane. Problemi kryesor nuk është as sanksionet, as investimet; problemi është korrupsioni i institucionalizuar dhe keqmenaxhimi.

Në gusht 2019, Qendra Statistikore Iraniane raportoi se inflacioni mesatar në Iran ka arritur në 40.4%, që është shifra më e lartë në 23 vitet e fundit.

Në qershor ka patur disa raste ku punëtorët kanë kryer vetëvrasje për shkak të presionit ekonomik dhe vonesës në dhënien e rrogave. Punëtorët në Iran vuajnë nga një ekonomi në përkeqësim e sipër dhe mezi ia dalin të sigurojnë bukën e gojës.

Ka patur raporte në fillim të qershorit se pronarët e dyqaneve në Teheran thoshin se mbetjet dhe organet e pulave, duke përfshirë krahët, këmbët, zemrat, mëlçitë, stomakët, madje edhe kockat, janë në mungesë. Për shkak të rritjes së inflacionit është rritur kërkesa për mbetje e organe pulash, në vend të mishit të tyre. Pronarët e dyqaneve thonë se iranianët e varfër blejnë madje edhe lëkurë pule.