Friday, March 29, 2024

EDITORIAL: Frikërat Plotësisht të Justifikuara të Khamenei-t

Publikuar më 11 tetor 2019.

Javën e shkuar, Lideri Suprem i regjimit iranian Ali Khamenei theu heshtjen e tij 40-ditëshe lidhur me krizat që kanë pllakosur regjimin e tij.

Në një takim me komandantët e Gardës Revolucionare (IRGC) terroriste më 2 tetor, Khamenei u shpreh “plotësisht i kënaqur” nga veprimet e tyre dhe i quajti ata si “fëmijët e dashur” të tij.

Duke u përpjekur të tregohej i matur, Khamenei pohoi ekzistencën e një vale dezertimesh në radhët e IRGC-së dhe u bëri thirrje komandantëve të tij që të bëhen gati për “incidente të mëdha,” një eufemizëm për kohërat edhe më të vështira me të cilat do të përballet së shpejti regjimi.

Ngjarjet e fundit tregojnë se frika e Khamenei-t është plotësisht e justifikuar. Regjimi i tij vërtet që është turrur kokëngulthi drejt “incidenteve të mëdha” në fronte të ndryshme.

 

Kriza e hiv-it në LORDEGAN

Javën e kaluar mori dhenë lajmi se punonjësit e ministrisë iraniane të shëndetit kishin infektuar qindra banorë në qarkun Lordegan të provincës Charmahal dhe Bakhtiari me virusin HIV si rezultat i përdorimit të shiringave të kontaminuara. Ky zbulim shkaktoi zemërim të madh në mbarë provincën dhe ndezi protesta të cilat u kthyen shpejt në demonstrata anti-regjim. Protestuesit thërrisnin “vdekje diktatorit” duke kritikuar sipërmarrjet e kushtueshme të regjimit në vendet fqinje, të cilat i kanë kushtuar shtrenjtë ekonomisë dhe jetesës së popullit iranian. Protestuesit e zemëruar u vunë zjarrin ndërtesave qeveritare dhe zyrës së Imamit të lutjeve të së premtes, i cili përfaqëson direkt Khamenei-n në Lordegan.

Regjimi u përpoq ta kontrollonte situatën duke dërguar forca sigurie për t’i shtypur protestat dhe vendosi ligj ushtarak të padeklaruar në këtë rajon. Forcat e sigurisë hapën zjarr mbi protestuesit, duke vrarë njërin prej tyre e duke plagosur me dhjetëra njerëz. Shumë të tjerë janë arrestuar e transferuar në kryeqytetin e provincës, Shahrekord.

Por përpjekjet e regjimit kanë rezultuar vetëm në një zbutje të përkohshme të xhindosjes së popullit. Pas krizës së HIV-it në Lordegan, znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha në një deklaratë, “Ky regjim i korruptuar dhe kriminal e ka çuar dëm pasurinë kombëtare të Iranit duke u marrë me projekte bërthamore e raketash dhe duke nxitur konflikte jashtë vendit, gjë që i ka shkatërruar të gjitha aspektet e jetës për popullin e Iranit, përfshirë shëndetin dhe mirëqenien.”

Siç e tregoi edhe ky episod i Lordeganit, është vetëm çështje kohe derisa një tjetër krizë sociale apo ekonomike të kthehet në konfrontim politik mes popullit dhe regjimit. Dhe regjimi e ka gjithnjë e më të vështirë ta mbajë nën kontroll zemërimin dhe urrejtjen e popullit. Këtë e dëshmojnë dhjetëra protesta e greva që vazhdojnë në qytete të ndryshme të Iranit, si protestat e punëtorëve të fabrikës së sheqerit Haft Tapeh në Khuzestan, punëtorëve të kompanive Azarab dhe HEPCO në Markazi, fermerëve në Isfahan dhe mësuesve në mbarë vendin. 

 

Njësitë IRANIANe të Rezistencës Zgjerojnë veprimtaritë e Tyre

Ndërkohë që regjimi përpiqet ta zgjerojë shtypjen mbarëkombëtare mbi çdo protestë e mospajtim, anëtarët e “Njësive të Rezistencës,” mbështetës të opozitës iraniane Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), vazhdojnë me fushatën e tyre anti-regjim në mbarë Iranin duke vendosur postera me foto të udhëheqëses së opozitës iraniane, Maryam Rajavi.

Postera të mëdhenj janë vendosur në vende të ndryshme në Teheran, Shiraz dhe Mashhad, tre nga qytetet më të mëdha të Iranit. Për më tepër, të rinjtë e rebeluar në mbarë vendin u kanë vënë zjarrin ikonave të regjimit iranian dhe objekteve të ndryshme të lidhura me entitetet e regjimit.

Veprimtaritë e Njësive të Rezistencës kanë luajtur një rol madhor në përpjekjen për të mos e lejuar regjimin ta ruajë sundimin e tij të frikës e terrorit në mbarë Iranin. Duke mos iu bindur e duke i sfiduar forcat e sigurisë së regjimit, liderët e tij dhe simbolet e pushtetit, Njësitë e Rezistencës po u japin shpresë miliona iranianëve të cilët nuk mund ta durojnë më sundimin e korruptuar dhe tiranik të mullahëve.

Dobësimi i Kontrollit të Teheranit mbi IRAkun

Ndoshta një nga zhvillimet më të rëndësishme të javës së fundit ka qenë protesta mbarëkombëtare që shpërtheu në Irak, vend të cilin regjimi iranian është përpjekur ta pushtojë përmes grupeve terroriste proksi dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Javën e shkuar, demonstruesit irakenë të zemëruar dolën në rrugë në qytete të ndryshme të vendit, duke u vënë zjarrin zyrave të grupeve militante të mbështetura nga Irani. Demonstruesit janë të zemëruar nga korrupsioni dhe ndërhyrjet e regjimit iranian dhe palëve të lidhura me të. Njerëzit nëpër rrugë kanë kërkuar që t’u jepet fund ndërhyrjeve të Iranit. Një numër analistësh, politikanësh dhe aktivistësh irakenë besojnë se reforma ekonomike është e pamundur të arrihet pa u vënë nën kontroll ndikimi i grupeve militante të mbështetura nga Irani në Irak dhe pa u dhënë fund ndërhyrjeve të Teheranit në Bagdad e në mbarë vendin.

I frikësuar për interesat e tij strategjike në Irak, Teherani është përgjigjur duke dërguar forcat brutale terroriste dhe komandantin e tyre Qassem Suleimani, për të shtypur protestuesit. Raporte të ndryshme tregojnë se forcat e IRGC-së dhe proksit iranianë janë të përfshirë direkt në vrasjen e mbi 100 protestuesve irakenë. Përfshirja e regjimit iranian në shtypjen e protestave e ka thelluar edhe më tej urrejtjen e popullit iraken për mullahët që sundojnë Iranin.

 

“Incidente të mëdha” në të ardhmen

Këto ngjarje janë thjesht një prelud përpara incidenteve edhe më të mëdha me të cilat do të përballen Khamenei dhe regjimi i tij. Si do të përgjigjet regjimi?

Në komentet e tij, Khamenei e paraqet zgjidhjen e tij për dilemat gjithnjë e më të mëdha të regjimit si shtim të terrorizmit jashtë vendit.

“Nuk duhet të kufizohemi vetëm me rajonin tonë duke mos u kushtuar vëmendje kërcënimeve përtej kufijve. Perspektiva më e gjerë ekstraterritoriale është përgjegjësi e IRGC-së. Kjo është thellësia strategjike e vendit tonë dhe ndonjëherë është përgjegjësia jonë më e rëndësishme,” thotë ai.

Sigurisht, për shkak të natyrës së tij fondamentaliste dhe terroriste, regjimi i Iranit do të tentojë gjithmonë t’i zgjidhë problemet e tij me anë të shtypjes, luftënxitjes dhe shkaktimit të kaosit në rajon. Khamenei e di më mirë se kushdo që zbutja e terrorizmit dhe sjelljes luftarake do ta vërë regjimin e tij në rrugën drejt shkatërrimit e rrënimit. Kjo vërteton gjithashtu se përpjekjet e regjimit për të bërë shfaqje force në rajon nuk janë asgjë më shumë sesa përpjekjet e kota të një tiranie që po përpiqet më kot t’i zgjasë ditët e saj të numëruara.