Friday, March 29, 2024

Ekonomia e Iranit: Situata Përkeqësohet

Ekonomia iraniane është në një pozitë jashtëzakonisht delikate. Situata po bëhet edhe më e brishtë nga rivendosja e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara mbi Iranin.

Pak ditë më parë u publikua një raport nga Qendra e Kërkimit të Parlamentit të Regjimit Iranian ku tregoheshin disa arsye për zhvlerësimin e monedhës iraniane. Raporti solli gjithashtu në vëmendje largimin e kapitalit, gjë që është theksuar kohët e fundit nga zyrtarët iranianë.

Në raportin e krahut zyrtar të legjislaturës së regjimit, thuhej se vlera e kapitalit të larguar nga marsi 2016 deri në 2018 ishte rreth $59 bilion. Afërsisht $20 bilion janë larguar nga vendi në vitin e parë dhe pjesa tjetër në periudhën e dytë. Largimi total i kapitalit për tre muajt e fundit të periudhës kishte një vlerë tronditëse prej $13 bilion.

Qendra e kërkimit tregoi se shifra vjetore për vitin që vjen – mars 2018 deri në mars 2019 do të jetë shumë më e lartë. Ajo llogariti se ka patur një ulje rreth $16 bilion në rezervat e monedhës së huaj në vend nga marsi 2016 deri në dhjetor të vitit të shkuar. Në periudhën përpara kësaj, kishte një rritje pothuajse $28 bilion gjatë tre viteve.

Largimi i kapitalit në Iran i atribuohet disa shkaqeve të mundshme sipas raportit.

Së pari, situata ekonomike dhe politike në Iran është delikate dhe veçanërisht e paparashikueshme. Kapitali nuk mund të mbijetojë në këto kushte dhe nuk është e lehtë të realizohen marrëveshje biznesi. Çdokush që investon në Iran ndërmerr një risk shumë të madh për shkak të pasigurisë ekonomike. Mbi të gjitha, emigracioni është i lartë dhe po rritet gjithnjë e më shumë.

Riali ka vuajtur në pak vitet e shkuara për shkak të kursit të lartë të largimit të kapitalit në këto vite.

Për më tepër, Presidenti amerikan Donald Trump deçertifikoi marrëveshjen bërthamore të Iranit në tetor 2017. Që kur u shpall kjo gjë, vlera e rialit ka rënë gati 40 për qind. Situata po arrinte nivele kritike, kështu që Banka Qendrore e Iranit mori masa drastike për të parandaluar përkeqësimin e situatës. Ajo ndaloi tregtinë e dollarit jashtë rrugëve zyrtare dhe shpalli një kurs të unifikuar për të zëvendësuar kurset e ndryshme të tregut.

Banka Qendrore e Iranit vuri gjithashtu limite mbi sasinë e monedhës që populli i Iranit mund të blinte dhe të mbante nga frika e zbrazjes së rezervave të vendit dhe shpenzimit të tyre jashtë vendit.

Këto masa, edhe pse drastike, kanë patur shumë pak impakt pozitiv, kryesisht për shkak të veprimtarisë së tregut të zi. Që kur u morën këto masa, riali ka humbur edhe 10 për qind të vlerës së tij.

Trump shpalli gjithashtu muajin e kaluar se Shtetet e Bashkuara do të dilnin nga marrëveshja bërthamore. Të gjithë faktorët që kanë kontribuar në largimin e kapitalit u përkeqësuan dhe ndërmarrje të mëdha kanë filluar të largohen nga vendi.

Kur të hyjnë në fuqi sanksionet amerikane, futja e monedhës në rezervat e vendit do të ndikohet për shkak të sanksioneve mbi eksportin e naftës. Për më tepër, aksesi në rezervat e monedhës do të kufizohet kur të hyjnë në fuqi sanksionet mbi sektorin bankar.