Thursday, October 22, 2020

Fox News: Maryam Rajavi Bën Thirrje për Bojkotim të Zgjedhjeve False në Iran

Në një raport në uebsitin e saj të dielën, Fox News theksoi thirrjen e bërë nga Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), që populli iranian t’i bojkotojë zgjedhjet parlamentare false të regjimit.

Fox News citoi fjalimin e Znj. Rajavi në Ashraf 3 të Shqipërisë, ku banojnë anëtarët e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI, Mujahedin-e Khalq ose MEK), në përvjetorin e revolucionit anti-monarkik të 1979-ës në Iran.  

“Bojkotimi i këtyre zgjedhjeve false është detyrë patriotike dhe detyrim i popullit iranian ndaj martirëve të tij, sidomos ndaj mbi 1,500 martirëve të kryengritjes së nëntorit,” tha në një fjalim Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI) Maryam Rajavi, duke iu referuar protestave të vitit të shkuar. “Ky bojkot përputhet me kërkesat e popullit dhe studentëve që u ngritën në protestë në janar për përmbysjen e tërësisë së regjimit jo-legjitim të [sundimit absolut klerikal],” citohet Znj. Rajavi nga Fox News.  

Fox News e citon më tej zonjën Rajavi duke thënë: “Vërtet, vota e popullit iranian është ‘përmbysje.’” 

Siç është raportuar më parë nga NCRI, Këshilli i Gardianëve i regjimit iranian ka skualifikuar 90 anëtarë aktualë të parlamentit, disa prej të cilëve kanë shërbyer për tre mandate. Kandidatët në 170 distrikte janë vetëm nga grupimi i Liderit Suprem Ali Khamenei, dhe kandidatët kryesorë të grupimit rival në distriktet e tjera janë eliminuar, kështu që si përfundim, 260 vendet e parlamentit do t’i shkojnë automatikisht grupimit që mban anën e Khamenei-t. 

“AFP ka raportuar se Këshilli i Gardianëve, i cili është përgjegjës për vetingun e kandidatëve, ka skualifikuar më shumë se gjysmën e 14,444 personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje – duke përfshirë shumë kandidatë reformistë e të moderuar. Kjo agjenci raporton se, si rezultat, shumë votuesve u ngelen vetëm dy mundësi: të votojnë për konservatorët ose të mos votojnë fare, dhe se këto zgjedhje mund të rezultojnë në fitoren e rivalëve konservatorë të Presidentit iranian Hassan Rouhani. BBC ka raportuar se të gjithë kandidatët nga grupe kundër Republikës Islamike, apo që dëshirojnë ta ndryshojnë sistemin, janë skualifikuar nga Këshilli,” lexon artikulli i Fox News.  

Fox News ka intervistuar disa aktivistë iranianë brenda Iranit. Një nga këta aktivistë, i cili identifikohet si Kaveh, ka thënë për Fox News përmes një mesazhi tekst: “Pjesëmarrja publike në zgjedhje në një shtet demokratik është produkt i besimit që publiku ka në strukturën demokratike.” 

“Por meqë në Iran kemi një qeveri fashiste, njerëzit jo vetëm që nuk kanë besim tek struktura e regjimit, por edhe e urrejnë atë.” 

“Në fakt, ato që regjimi i quan zgjedhje janë thjesht një rreng që bëhet për t’i deklaruar botës se ka legjitimitet social,” shtoi ai. Kaveh tha gjithashtu për Fox News se populli iranian dëshiron ta përmbysë atë që ai e përshkruan si një “regjim i korruptuar dhe kriminal.” 

Fox News e mbyll artikullin duke cituar edhe një herë Znj. Rajavi: “Sot, [Lideri Suprem Ali Khamenei] po përpiqet ta mbushë parlamentin reaksionar me luajalistë. Kjo për shkak se vetëm kjo mënyrë i duket si zgjidhje për krizën aktuale.”