Friday, December 4, 2020

Abuzimet e vazhdueshme ndaj të drejtave njerëzore në Iran

 

Një raport akuzues nga Amnesty International zbulon abuzimet e rënda ndaj të drejtave njerëzore në burgjet e Iranit pas protestave madhore në nëntor 2019

 

Raporti i ri i Amnesty International mbi abuzimet e të drejtave njerëzore në burgjet e Iranit ka tronditur mbarë botën.

Raporti “Duke Shkelur Mbi Njerëzimin,” i publikuar më 2 shtator, është një rrëfim hidhërues i krimeve të regjimit kundër protestuesve të arrestuar gjatë kryengritjes së nëntorit 2019. Ky dokument jep detaje mbi trajtimin që regjimi u bën të burgosurve, arrestimet në masë të gjerë, zhdukjet dhe torturimet, dhe është i bazuar në hetimet e kryera nga reporterët e Amnesty International dhe intervistat me viktimat.

Por edhe pse këto zbulime mund të vijnë si një surprizë tronditëse për shumë që e lexojnë jashtë vendit, për njerëzit e Iranit kjo nuk është gjë e re, dhe është një zgjatim i asaj që kanë duruar për 41 vite nën sundimin e mullahëve.

Mijëra të arrestuar

Më 25 nëntor 2019, mijëra iranianë dolën nëpër rrugë në protestë pasi regjimi e trefishoi papritmas çmimin e gazolinës. Këto demonstrata, të cilat u përhapën në gati 200 qytete, u shndërruan shpejt në protesta madhore anti-regjim.

Sipas raportit të Amnesty, gjatë protestave dhe pas tyre, policia, inteligjenca dhe forcat e sigurisë të Iranit arrestuan 7,000 burra, gra e fëmijë.

“Kërkimet e Amnesty International tregojnë se shumë nga arrestimet janë bërë gjatë pesë ditëve të protestave, por, gjatë ditëve e javëve në vijim, arrestimet masive vazhduan, veçanërisht në provincat ku kishte patur numër të lartë vdekjesh në një kontekst ku autoritetet kishin pozicionuar një numër të konsiderueshëm automjetesh sigurie dhe personeli në vende publike për të parandaluar protesta të mëtejshme,” thotë raporti.

Një dëshmitar i intervistuar nga Amnesty International, thotë: “Isha rrugës për në punë kur më qëlluan në stomak. Isha i tronditur dhe fillimisht mendova se më kishin qëlluar me armë trullosëse, por pastaj e kuptova që po më rridhte gjak nga stomaku. Pashë përreth dhe vura re se ishin qëlluar edhe shumë njerëz të tjerë, në kokë e në qafë. Bëra operacion në spital për ta hequr plumbin. Kur dola nga spitali pak ditë më vonë, po më prisnin brenda në spital forca sigurie me veshje civile për të më arrestuar. Më mbajtën në burg për disa ditë dhe më pas më liruan me kusht. Forcat e sigurisë po i arrestonin të gjithë pas daljes nga spitali. Në qendrën e paraburgimit kishte shumë njerëz me plagë plumbash e plagosje të tjera.”

Sipas raportit, forcat e sigurisë dhe inteligjencës kanë arrestuar qindra fëmijë në mbarë vendin, disa madje edhe 10 vjeç, gjatë dhe pas protestave të nëntorit 2019.

Një protestues adoleshent i cili kishte marrë pjesë në protesta rrëfeu arrestimin e tij të dhunshëm nga njësia e inteligjencës e Gardës Revolucionare në Nassimshahr, Teheran. “Punoja në një fabrikë këpucësh dhe isha siguruesi kryesor i bukës në shtëpinë tonë… Shpenzimet i kisha më të larta sesa të ardhurat, dhe më dhimbte kur i shihja tek vuanin prindërit e mi të sëmurë,” tha ai.

Raporti i Amnesty International tregon gjithashtu se shumë të arrestuar i nënshtroheshin burgimit të izoluar pa mundësi komunikimi, dhe zhdukjes së detyruar, për disa javë, madje edhe muaj, pas arrestimit të tyre. Ata i izolonin nga bota e jashtme dhe ua mohonin kontaktin me familjarët dhe avokatët e tyre, ndërsa autoritetet nuk pranonin t’u tregonin të afërmve për fatin apo vendndodhjen e tyre.

Ndërkohë, agjentët e policisë, sigurisë dhe inteligjencës, si dhe disa zyrtarë të burgjeve, përdornin tortura dhe keqtrajtime të tjera në masë të gjerë kundër të arrestuarve. Metodat e raportuara të torturës fizike të përdorur kundër të burgosurve përfshijnë rrahje, goditje me kamxhik, varje pezull, detyrimin e të burgosurve për të qëndruar në pozicione stresi për periudha të zgjatura, shpesh me sy të lidhur ose me kokën të mbuluar me qese apo thes, përdorimin e burgimit të izoluar për 24 orë në ditë për periudha që shkojnë deri në disa muaj, dhe mohimin e ushqimeve e ujit të mjaftueshëm apo të trajtimit mjekësor, duke përfshirë ilaçet.

Dënimet me vdekje për protestuesit

Gjithashtu, më 30 gusht, regjimi iranian dha një dënim të dyfishtë me ekzekutim për Navid Afkari dhe dy vëllezërit e tij, Vahid dhe Habib, për pjesëmarrjen e tyre në kryengritjen e gushtit 2018 në qytetet Kazerun dhe Shiraz.

Një muaj më parë, regjimi kreu dënimin me vdekje të Mostafa Salehi, një punëtor që kishte marrë pjesë në protestat mbarëkombëtare të 2018-ës.

Krimet kundër të burgosurve politikë iranianë nisën në fillim të viteve 1980 dhe vazhdojnë edhe sot. Krimi më i madh mes tyre është masakra ndaj mbi 30000 të burgosurve politikë iranianë në verën e 1988-ës, masakër e cila nuk është hetuar kurrë nga komuniteti ndërkombëtar, dhe autorët e së cilës nuk janë përballur kurrë me drejtësinë.

Të njëjtët njerëz që e kanë kryer atë krim janë ende në pushtet dhe vazhdojnë të ndjekin penalisht e të torturojnë disidentë e protestues. Njëri prej tyre është Ebrahim Raisi, kreu aktual i gjyqësorit të regjimit. Në 1988-ën, ai ishte Zëvendës Prokuror i Teheranit dhe anëtar kyç i “Komisionit të Vdekjes” të Teheranit, një treshe zyrtarësh të regjimit të cilët zhvillonin gjyqe vetëm disa-minutëshe për të burgosurit që dërgoheshin në trekëmbësh. Lideri suprem aktual i regjimit, Ali Khamenei, ishte president në atë kohë.

Një nga arsyet pse zyrtarët e regjimit iranian kanë mundur të vazhdojnë me krimet e tyre kundër disidentëve dhe protestuesve është pandëshkueshmëria që ata kanë gëzuar. Mungesa e interesit të komunitetit ndërkombëtar për t’i kërkuar llogari regjimit për abuzimet e tij ndaj të drejtatave njerëzore i ka trimëruar zyrtarët e regjimit për të vazhduar të kryejnë krime në burgjet dhe rrugët e Iranit. Dhe deri në çastin kur komuniteti ndërkombëtar do të vendosë të marrë masa konkrete, këto krime do të vazhdojnë.