Thursday, December 3, 2020

Amnesty International: Familjet e masakrës së 1988-ës në Iran ende kërkojnë të vërtetën

Gjatë verës së 1988-ës, mijëra të burgosur politikë, shumica anëtarë të lëvizjes opozitare iraniane Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK), u masakruan brenda pak javësh.

 

Në verën e 1988-ës, regjimi klerikal që sundon Iranin ekzekutoi në fshehtësi disa mijëra të burgosur politikë. Pas tre dekadash, familjarët dhe të mbijetuarit ende kërkojnë drejtësi.

Në një varg postimesh në Twitter, Amnesty International ka publikuar fragmente nga disa intervista me dëshmitarë dhe të mbijetuar të këtij krimi të tmerrshëm që njihet tashmë si “masakra e 1988-ës.”

Tridhjetë e dy vite pas këtij krimi kundër njerëzimit, shumë familjarë të viktimave ende nuk e kanë marrë vesh fatin dhe vendin e varrosjes së njerëzve të tyre të dashur. Masakra e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë, shumica anëtarë, mbështetës dhe simpatizantë të grupit opozitar iranian Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (PMOI/MEK), ishte një krim i paprecedent kundër njerëzimit që ka vazhduar deri në ditët e sotme.

Në gusht të atij viti, pak para fillimit të vrasjeve, autoritetet e burgjeve në mbarë Iranin ua ndaluan vizitat familjare mijëra të burgosurve politikë pa ofruar asnjë shpjegim. Mes këtyre të burgosurve ishin mjekë, infermierë, inxhinierë, mësues, akademikë, studentë, dhe punëtorë. Disa prej tyre kishin qenë në shkollë të mesme ose në universitet në kohën e arrestimit.

Shumica e mbështetësve të MEK ishin burgosur për besimet e tyre politike dhe për veprimtari paqësore si shpërndarja e gazetave dhe pamfleteve, pjesëmarrja në demonstrata, dhe ngritja e fondeve për familjet e të burgosurve politikë.

Shumë të burgosur ishin futur në burg në mënyrë arbitrare, pa asnjë gjyq apo dënim. Disave u ishte dhënë dënimi, që fillonte nga burgimi i përjetshëm e deri tek periudha më të shkurtra prej dy apo tre vitesh. Disa të burgosur e kishin kryer dënimin dhe duhej të liroheshin së shpejti por iu tha që do të vazhdonin të mbaheshin në burg për shkak se nuk ishin penduar për mbështetjen e tyre ndaj MEK.

Familjarët e shqetësuar shkonin të pyesnin vazhdimisht nëpër burgje, në gjykatë, e në agjenci të tjera qeveritare, por nuk u jepej informacion i saktë.

Disa njerëz sillnin rroba, ushqime, ilaçe, dhe para me shpresën se do të merrnin një firmë nga familjarët e tyre të burgosur se i kishin marrë këto sende, dhe kështu do të siguroheshin se ata ishin gjallë. Zyrtarët e burgut shpesh i pranonin këto sende pa thënë a ishte gjallë apo jo i burgosuri. Në disa vende, zyrtarët i gënjenin familjarët e viktimave duke u thënë se njerëzit e tyre ishin transferuar në burgje të provincave të tjera, dhe familjarëve u duhej të bënin udhëtime të gjata e të pafrytshme.