Saturday, May 28, 2022

Asembleja e Përgjithshme e OKB-së: Mundësia më e Mirë për ta Mbajtur Përgjegjës Regjimin Iranian për Krimet e tij Serioze në të Shkuarën

 

Ndërtesa e Asemblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York

Seanca e 75-të e Asemblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është e planifikuar të hapet më 15 shtator, ndërsa Debati i Përgjithshëm i nivelit të lartë do të nisë një javë më vonë. Duke qenë se Këshilli i Sigurimit ka refuzuar tani vonë ta zgjasë afatin e embargos së armëve ndaj regjimit, duket e sigurtë që kundërshtimet amerikane ndaj këtij vendimi do të përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të debatit.

Kjo është e lidhur ngusht me çështje të tjera të ngjashme si reputacioni i Iranit si shteti kryesor që sponsorizon terrorizmin, dhe fakti që kohët e fundit ai ka shpalosur një raketë të re në përpjekje të qartë për ta provokuar Perëndimin lidhur me aksesin që regjimi ka fituar kohët e fundit në armë të avancuara. Rëndësia e këtyre çështjeve është shumë e madhe, sidomos po të kemi parasysh faktin që Asembleja e Përgjithshme do të zhvillohet pak a shumë në të njëjtën kohë me gjyqin në Belgjikë të një të ashtu-quajturi “diplomat” të regjimit iranian i cili ka organizuar një komplot për të shpërthyer një bombë pranë Parisit në 2018-ën.

Por megjithatë, diskutimet mbi provokimet e regjimit iranian ndaj shteteve të tjera dhe financimeve të tij për terrorizmin nuk duhet të lejohen t’i eklipsojnë çështjet e tjera, si ato që nënvizojnë kërcënimin që regjimi i mullahëve përbën për popullin iranian. Këto dy kategori janë trajtuar përgjithësisht nga politikëbërësit perëndimorë sikur të ishin krejtësisht të ndara. Por komploti terrorist i 2018-ës demonstron se terrorizmi dhe tirania e Teheranit nuk kanë kufij.