Sunday, January 17, 2021

Fshehja e Fakteve nga Zyrtarët e Burgut Çon në Vdekjen e të Paktën Shtatë të Burgosurve në Burgun Evin për Shkak të COVID-19

 

Thirrje OKB-së të marrë masa urgjente për të siguruar lirimin e të burgosurve, sidomos të burgosurve politikë, deri në fund të pandemisë

Të paktën shtatë të burgosur kanë vdekur në burgun Evin në Teheran për shkak të COVID-19 që nga 21 nëntori 2020. Por me urdhër të Drejtësisë së regjimit, Organizata e Burgut dhe kujdestari i burgut Evin janë duke u përpjekur që ta fshehin këtë zhvillim.

Të vdekurit kanë qenë në pavijonet shtatë dhe tetë. Sipas raporteve, katër nga viktimat kanë vdekur në seksionin e karantinës të pavijonit tetë të burgut Evin (pavijon ku mbahen të burgosurit e akuzuar për krime financiare), ndërsa tre të tjerët kanë vdekur në pavijonin shtatë, ku mbahen kryesisht të burgosur politikë. Numri i viktimave mund ta tejkalojë këtë shifër.

Më 22 nëntor, pasi të burgosurit i panë trupat e vdekur, shërbimi telefonik në Evin u ndërpre për disa orë në mënyrë që të burgosurit të mos e përhapnin jashtë lajmin e vdekjeve.

Në një tjetër zhvillim, disa autobuzë me të burgosur nga pavijoni tetë janë dërguar sot në Burgun e Teheranit të Madh (Fashafuyeh). Dyshohet se arsyeja e transferimit është përhapja e COVID-19 në burgun Evin. Kjo mund të rezultojë në përhapjen e virusit tek burgu Fashafuyeh gjithashtu.

Muajin e shkuar, katër të burgosur në pavijonin katër të Evin rezultuan pozitiv për virusin. Në atë kohë, klinika e burgut u kishte thënë pacientëve të sëmurë: “Nuk do t’ju testojmë për COVID-19 sepse është e qartë që testet tuaja do të rezultojnë pozitive. Kështu që shkoni në pavijonin tuaj dhe pushoni.”

Rezistenca Iraniane paralajmëron përsëri për kushtet e tmerrshme në burgjet iraniane dhe për shpërthimin e një katastrofe humanitare, sidomos në kulmin e pandemisë së koronavirusit. Rezistenca nxit Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Komisioneren e Lartë për të Drejtat e Njeriut, Këshillin e të Drejtave të Njeriut, dhe të gjitha organizatat e të drejtave të njeriut që të veprojnë urgjentisht për t’ua shpëtuar jetën të burgosurve, sidomos të burgosurve politikë. Të burgosurit duhet të lirohen, të paktën deri në fund të pandemisë. Rezistenca Iraniane bën thirrje gjithashtu për dërgimin urgjent të një misioni ndërkombëtar të gjetjes së fakteve në Iran që të vizitojë burgjet dhe të takohet me të burgosurit, sidomos të burgosurit politikë.