Wednesday, October 20, 2021

Iran: Anulimi i UNESCO 2030 nga Ebrahim Raisi: Një Hap i Mëtejshëm Drejt Shtypjes Sistemike

Ebrahim Raisi, presidenti i regjimit iranian i ka anuluar zyrtarisht Udhëzimet Arsimore të UNESCO 2030. Anulimi u shpall nga Saeed Reza Ameli, sekretari i Këshillit Suprem te Revolucionit Kulturor (SCCR), të hënën. Në vendimin e tij për të shfuqizuar Dokumentin e  2030-ës, Raisi bëri thirrje që të gjithë dokumentet, deklaratat dhe rregulloret që bien në kundërshtim me parimet themelore të sistemit arsimor të regjimit, SCCR-s dhe parlamentit, të anulohen njëherë e mirë. “Ky vendim do të jetë i detyrueshëm për të gjitha institucionet dhe agjencitë,” deklaroi ai.

Saeed Reza Ameli shtoi: “Duhet të kemi parasysh që shumë ligje ndërkombëtare janë të projektuara brenda kuadrit të një strukture të të menduarit liberal, dhe kjo mendësi është e bazuar tek shpërfillja ndaj rolit ekzistencial të Zotit dhe tek laicizmi e materializmi. Prandaj, nuk shikojmë sisteme arsimore dhe kulturore që bazohen në ligje fetare dhe rregulla teologjike. Tani duhet te shohim nga vijnë këto gjëra.”

Agjenda 2030 e OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm është një grup standardesh e krijuar nga UNESCO, të cilat u mësojnë fëmijëve dhe të rinjve bazat e mjedisit, të drejtave njerëzore dhe të eliminimit të diskriminimit në shoqëri. Ky dokument është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në shtator 2015 me qëllimin për të përmirësuar cilësinë e arsimit në mbarë botën, dhe shtetet anëtare e kanë firmosur këtë dokument duke rënë dakord që t’i paraprijnë krediteve të nevojshme për përmirësimin e arsimit, si dhe masave thelbësore mbrojtëse ndaj abuzimit të fëmijëve dhe promovimit të barazisë gjinore.

Në një takim me “mësues” më 7 maj 2017, Khamenei e kritikoi Agjendën 2030 dhe tha: “Agjenda arsimore e UNESCO 2030 dhe të tjera si ajo, nuk janë agjenda të cilave Republika Islamike e Iranit duhet t’u dorëzohet.” Ai gjithashtu postoi në faqen e tij në internet: ‘Pse duhet një i ashtuquajtur komunitet “Ndërkombëtar”—i cili është padyshim i infiltruar nga superfuqitë—të ketë të drejtën të marrë vendime për kombet e ndryshme të botës në lidhje me kulturat e tyre?’