Friday, March 29, 2024

Iran: Efektet Shkatërrimtare Shumë-Dimensionale të COVID-19. Të Parandalueshme?

Numri i vdekjeve nga Covid-19 në Iran po rritet me shpejtësi. Vendin e ka pllakosur vdekja. Kjo tragjedi ka qenë e parandalueshme. Krahas vdekshmërisë së lartë, përhapja e Covid-19 ka patur efekte shkatërrimtare psikologjike dhe ekonomike në jetën e njerëzve.
“Kanë kaluar njëzet muaj që nga fillimi i përhapjes së koronavirusit në Iran, dhe sipas statistikave zyrtare nga Organizata e Mirëqenies, koronavirusi ka lënë jetimë 51,000 fëmijë, e ka rritur numrin e familjeve të kryesuara nga femra me 30,000, dhe ka zhvendosur 612,000 familje poshtë pragut të varfërisë, duke çuar në një rritje prej 25 përqind në dhunën në familje,” shkruante më 20 shtator e përditshmja shtetërore Jahan-e Sanat.

Ndërkohë, shumë familje në varfëri ekstreme kanë humbur anëtarët që siguronin bukën. “Sipas Zëvendës Ministrit të Mirëqenies Sociale: Çdo 12 sekonda në botë, një fëmijë mbetet jetim për shkak të koronavirusit. Në Iran llogaritet që 51,000 fëmijë kanë humbur prindërit për shkak të pandemisë së Covid-19,” shkruan Jahan-e Sanat lidhur me këtë.
Por Mostafa Eghlima, ekspert social, ka thënë për Jahan-e Sanat se “Statistikat e shpallura së fundmi nga Organizata e Mirëqenies lidhur me fëmijët që kanë mbetur jetimë për shkak të Covid-19 janë të pasakta sepse numri [zyrtar] i vdekjeve nga Covid-19 nuk është i saktë.”
“Si rrjedhim, numri i saktë i fëmijëve të mbetur jetimë nga Covid-19 është shumë më i lartë sesa ai që është deklaruar. Rreth 30,000 gra kanë kërkuar ndihmë si kryetare familjesh, dhe po këto 30,000 gra kanë të paktën një ose dy fëmijë. Por organizata e mirëqenies shpall vetëm statistikat dhe nuk u kushton vëmendje këtyre njerëzve,” shton Eghlima, sipas Jahan-e Sanat.