Monday, October 19, 2020

Iran: Pasojat e Ekzekutimit të Navid Afkari; Përgjegjësia e BE-së

Kampioni i mundjes, Navid Afkari

Ekzekutimi i Navid Afkari, kampion iranian në mundje dhe tashmë hero kombëtar, vazhdon të ketë pasoja politike dhe shoqërore si për popullin iranian, ashtu edhe për regjimin, dhe sjell më tepër përgjegjësi për komunitetin ndërkombëtar.

Shoqëria e trazuar iraniane e ka vërtetuar se ka miliona të rinj trima si Navid, të cilët i shkundën themelet e regjimit gjatë protestave të mëdha të Iranit në 2018-ën dhe 2019-ën. Tani, ekzekutimi i Navid-it vetëm sa do t’i ushqejë edhe më shumë flakët e kryengritjes së popullit iranian. Lidhur me këtë, e përditshmja shtetërore Etemad shkroi të martën: “A nuk ishte e vetëdijshme Drejtësia për ndjeshmërinë dhe ankthin e shoqërisë iraniane? A nuk e dinin ata se ky rast [ekzekutimi i Navid-it] nuk është më një rast i rëndomtë, dhe çdo veprim i nxituar dhe i pamatur mund ta rrisë çmimin që duhet të paguajë sistemi?”

Tani regjimit i duhet të paguajë një çmim shumë të madh si shoqëror, ashtu edhe politik.

Në mesin e një izolimi gjithnjë e më të madh ndërkombëtar dhe pothuajse një javë para aktivizimit të mekanizmit “snapback” të OKB-së, ndërkohë që regjimi kishte investuar në politikën e paqësimit të Bashkimit Europian, ekzekutimi i Navid-it e distancon edhe më shumë BE-në nga regjimi.

Ambasada e Gjermanisë në Iran e ka dënuar fuqishëm ekzekutimin e Navid Afkari, siç kanë bërë edhe Ministrat e Jashtëm të Francës e të Mbretërisë së Bashkuar. Gjithashtu, udhëtimi i planifikuar i Ministrit të Jashtëm të regjimit, Mohammad Javad Zarif, për në Europë është anulluar. Ishte planifikuar që ai të shkonte në Berlin, Londër, dhe Paris për të forcuar politikën e paqësimit dhe për t’i gjetur një litar shpëtimi regjimit, i cili po shtypet nën peshën e sanksioneve.

Lidhur me këtë, e përditshmja shtetërore Hamdeli shkruan: “Nga njëra anë, delegacioni iranian do të pyetet vazhdimisht nga mediat europiane lidhur me këtë dënim. Nga ana tjetër, liderët europianë duhet të përgjigjen për udhëtimin e Zarif drejt vendeve të tyre, nisur nga incidentet e fundit.”

Gjatë 40 viteve të fundit, shtypja ndaj popullit dhe eksportimi i terrorizmit kanë qenë dy shtyllat e ekzistencës së regjimit, dhe mullahët nuk e kanë ndryshuar asnjëherë sjelljen në këtë aspekt.

Në verën e vitit 1988, mullahët masakruan mbi 30,000 të burgosur politikë. Kjo valë vrasjesh nuk ndaloi asnjëherë, dhe heshtja e komunitetit ndërkombëtar lidhur me këtë krim e ka trimëruar regjimin e mullahëve për t’i shtypur njerëzit nëpër rrugë. Vrasja e 1,500 protestuesve gjatë protestave mbarëkombëtare të Iranit në vitin 2019, dhe ekzekutimet e vazhdueshme të protestuesve të arrestuar si Navid Afkari apo Mostafa Salehi – i cili u ekzekutua më 5 gusht 2020 – dëshmojnë për këtë fakt.

Mostafa Salehi (majtas), Navid Afkari (djathtas)

Tani, për sa i përket komunitetit ndërkombëtar, kryesisht fuqive europiane, dënimi i ekzekutimit të Navid-it apo anullimi i udhëtimit të Zarif nuk mjaftojnë dhe nuk do t’ua shpëtojnë jetën mijëra protestuesve të tjerë të burgosur. Fuqitë europiane duhet t’i dëbojnë ambasadorët e regjimit dhe agjentët e tij të inteligjencës nga vendet e tyre, t’i mbyllin ambasadat e mullahëve, dhe t’i japin fund tregtisë dhe marrëdhënieve me këtë regjim brutal. Nëse Europa do ta kishte dënuar më përpara vendimin për ndëshkimin me vdekje të Navid-it, ndoshta ai mund të ishte gjallë sot. Populli iranian pret masa të forta.