Sunday, September 19, 2021

Iran: Zhvendosja me Forcë e të Burgosurës Politike Maryam Akbari Monfared Drejt Burgut të Semnan

 

Thirrje Komisioneres së Lartë të OKB për të Drejtat e Njeriut që të veprojë urgjentisht për të siguruar lirimin e grave të burgosura politikisht

Znj. Rajavi nxit Raportuesen Speciale të OKB mbi Dhunën ndaj Grave që të hetojë gjendjen dhe shëndetin e Maryam Akbari dhe Golrokh Ebrahimi Eraei

Regjimi klerikal ka ekzekutuar tre vëllezër dhe një motër të Maryam Akbari

Të martën, 10 mars 2021, regjimi klerikal e transferoi papritmas të burgosurën politike Maryam Akbari Monfared nga burgu Evin në atë të Semnan. Ajo ka 12 vite e burgosur. Për të mos lejuar transferimin me forcë të Maryam Akbari-t, të burgosurat e tjera protestuan kundër transferimit të saj kur mësuan për të. Por rojat e pamëshirshme të burgut e nxorën me dhunë nga qelia.

Akbari Monfared, të cilës regjimi klerikal i ka ekzekutuar tre vëllezër dhe një motër, është arrestuar në dhjetor 2009 pas kryengritjes së 2009-ës dhe është dënuar me 15 vite burg. Gjatë këtyre viteve, asaj nuk i është dhënë as edhe një ditë leje për trajtimin e domosdoshëm mjekësor.

Alireza Akbari, anëtar i Mujahedin-e Khalq (MEK/PMOI), është ekzekutuar në vitin 1981. Gholamreza Akbari, gjithashtu anëtar i MEK, është vrarë nën torturë në 1985-ën. Anëtarët e MEK Abdulreza dhe Roghiyeh Akbari janë ekzekutuar gjatë masakrës së 1988-ës.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), e ka përsëritur vazhdimisht domosdoshmërinë që një delegacion ndërkombëtar të vizitojë burgjet e regjimit klerikal dhe të takohet me të burgosurit, sidomos ata politikë. Znj. Rajavi nxit Raportuesen Speciale të OKB mbi Dhunën ndaj Grave që të hetojë gjendjen shëndetësore të Maryam Akbari dhe Golrokh Ebrahimi Eraei.