Wednesday, January 26, 2022

Ken Blackwell: Irani po Tenton të Manipulojë Procesin Gjyqësor të Lakeut të Tij

Presidenti i ri i regjimit iranian, Ebrahim Raisi, do të marrë së shpejti zyrtarisht detyrën. Raisi njihet gjerësisht për rolin e tij në masakrën e 1988-ës ndaj mbi 30,000 të burgosurve politikë. Shumica e viktimave në 1988-ën ishin anëtarë dhe mbështetës të Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Rezistenca Iraniane e ka filluar me kohë një lëvizje për kërkimin e drejtësisë lidhur me masakrën e 1988-ës dhe e ka tërhequr me sukses vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar e të shumë grupeve të të drejtave njerëzore drejt kësaj kauze. Nga frika e pasojave të krimit të tyre, mullahët në Teheran janë përpjekur me çdo mënyrë të mundshme për ta penguar lëvizjen në kërkim të drejtësisë që ta arrijë qëllimin e saj.

Së fundmi, një nga kriminelët e përfshirë në masakrën e 1988-ës është hedhur në gjyq në Suedi. Në artikullin e tij të publikuar nga Townhall më 29 korrik, Ambasadori Ken Blackwell e shqyrton këtë çështje. Më poshtë vijon teksti i plotë i këtij artikulli:

Më 5 gusht 2021 do të marrë zyrtarisht detyrën presidenti i ri iranian, Ebrahim Raisi. Raisi ka qenë anëtar i Komisionit famëkeq të Vdekjes në Teheran, në vitin 1988. Së bashku me Hossein Ali Nayyeri, gjykatësin e Sheriatit; Morteza Eshraqi, Prokurorin e Teheranit; Mostafa Pour-Mohammadi, Zv/Ministrin e Inteligjencës, Raisi ka qenë një vendim-marrës kyç në ekzekutimet pa gjyq të mijëra anëtarëve e mbështetësve të lëvizjes kryesore opozitare iraniane, Mujahedin-e Khalq (PMOI/MEK), në burgjet Evin dhe Gohardasht. Sipas atyre që i kanë mbijetuar masakrës, Raisi ka luajtur një rol të dyfishtë, si prokuror dhe si anëtar i komitetit të vdekjes, për të vendosur fatin e të burgosurve.

Gjithsej 30,000 të burgosur politikë janë masakruar brenda pak muajsh, dhe janë varrosur në varre masive të pashënuara. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë i dënuar me vdekje dhe disa e kishin përfunduar madje kohën e burgimit, por nuk ishin liruar. Asnjë informacion mbi viktimat, mënyrën e vrasjes së tyre apo vendin e varrosjes nuk u është dhënë familjarëve të tyre.

Ngritja e Raisi-t në postin e presidentit ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar. Javaid Rahman, Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara mbi situatën e të drejtave njerëzore në Iran, ka bërë thirrje për formimin e një komisioni të pavarur hetimor për masakrën e 1988-ës. “Mendoj se është koha dhe është shumë e rëndësishme tani që Z. Raisi është president, që të fillojmë të hetojmë ngjarjet e 1988-ës… Përndryshe, do të kemi shqetësime shumë serioze lidhur me këtë president dhe me rolin, rolin e raportuar, që ai ka luajtur historikisht në këto ekzekutime,” ka thënë Rehman për agjencinë e lajmeve Reuters, duke shtuar, “Ekziston një pandëshkueshmëri e gjerë dhe sistematike në vend për dhunime të rënda të të drejtave njerëzore, si historikisht në të shkuarën, ashtu edhe në të tashmen.”