Tuesday, September 21, 2021

Kreu i të Drejtave të Njeriut në OKB dënon shtypjen ndaj protestuesve të Khuzestanit

UN Human Rights Chief condemns clampdown on Khuzestan protesters

Michele Bachelet, Komisionerja e Lartë e OKB për të Drejtat Njerëzore

 

Kreu i të Drejtave Njerëzore në OKB ka dënuar masat shtypëse të regjimit iranian mbi protestuesit e Khuzestanit dhe u ka bërë thirrje autoriteteve që, në vend të tyre, të adresojnë problemin e mungesës së ujit. Në një deklaratë të dhënë në Gjenevë, ajo vuri në dukje se: “Kur dëgjon raporte se protestuesit e plagosur po u shmangen spitaleve nga frika e arrestimit, kjo tregon se sa e rëndë është situata.” Zonja Bachelet e përshkroi situatën si “katastrofike.”

Faqja e Kombeve të Bashkuara e publikoi këtë deklaratë nga Komisionerja e Lartë e OKB për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, të premten, më 23 korrik 2021. Fragmente të saj vijojnë më poshtë:

Bachelet nxit Iranin që të fokusohet tek adresimi i krizës së ujit në Khuzestan, e jo tek shtypja e protestave

GJENEVË (23 korrik 2021) – Komisionerja e Lartë e OKB për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, të premten u bëri thirrje autoriteteve iraniane që të përqendrohen tek marrja e masave urgjente për të adresuar mungesën kronike të ujit në provincën Khuzestan, e jo të përdorin forcë të tepruar e arrestime të shumta për t’i shtypur protestat ndaj kësaj situate.

“Fokusi i vëmendjes së qeverisë duhet të jetë tek impakti i krizës shkatërrimtare të ujit mbi jetën, shëndetin dhe prosperitetin e popullit të Khuzestanit, e jo tek protestat e zhvilluara nga banorët e shtyrë në dëshpërim nga vite të tëra mospërfillje nga ana e shtetit,” tha Bachelet. “Jam jashtëzakonisht e shqetësuar për sa i përket vdekjeve dhe plagosjeve të javës së fundit, si dhe arrestimeve e burgosjeve të shumta.”

Provinca Khuzestan – ku një pjesë e madhe e 5 milion banorëve i përkasin minoriteti arab të Iranit – ka qenë dikur burimi kryesor dhe më i besueshëm i ujit në vend.