Wednesday, January 26, 2022

Kriza e COVID-19 në Iran: Përpjekjet e Dëshpëruara të Mullahëve për të Shmangur një Kryengritje

 

Bilanci i vdekjeve nga Covid-19 në Iran po rritet me shpejtësi. Edhe vetë shifrat e fabrikuara të regjimit e tregojnë se sa e thellë është kriza. “Të gjitha zyrat, bankat, dhe bizneset do të jenë të mbyllura nga e hëna deri të shtunën tjetër,” ka thënë zëdhënësi i Taskforcës së regjimit për Luftimin e Covid-19.

Presidenti i ri i regjimit, Ebrahim Raisi, shpalli të shtunën se është miratuar importimi i 30 milion dozave të vaksinave. “Por ekspertët besojnë se, për ta vënë nën kontroll situatën aktuale të padëshirueshme të Covid-19, duhet të sigurojmë 60 milion doza vaksinash,” shtoi Raisi.

Por çfarë ka ndodhur këto ditët e fundit që i ka bërë autoritetet e regjimit, të cilat kishin kohë që implementonin një politikë çnjerëzore të Covid-19 të drejtuar nga Lideri i tyre Suprem Ali Khamenei, të flasin tani për sigurinë e njerëzve?

Khamenei e pati ndaluar hyrjen e vaksinave të besueshme kundër Covid-19 në janar 2021. Në mars 2020, ai kishte thënë: “Nuk duhet ta bëjmë kaq të madhe çështjen e këtij koronavirusit.” Autoritetet e regjimit kanë ndjekur shembullin e Khamenei-t duke e minimizuar krizën e duke folur kundër vaksinimit.

Çfarë e ka nxitur Khamenei-n të dalë papritmas në televizion më 11 gusht dhe ta quajë Covid-19-ën si një “virus i egër” e të thotë se ai duhet të jetë “përparësi” e regjimit? A nuk ishte Khamenei ai që e pati quajtur këtë virus vdekjeprurës si një sprovë dhe bekim?

Pas protestave madhore të Iranit në nëntor 2019, të cilat i shkundën themelet e regjimit, Khamenei po priste dëshpërimisht për një shpëtimtar që ta mbronte regjimin e tij nga kryengritjet e popullit. Ky shpëtimtar qe shpërthimi i koronavirusit, të cilin regjimi e ktheu në një krizë të madhe humanitare përmes mashtrimeve e mosveprimit.