Wednesday, October 20, 2021

Mediat shtetërore të Iranit Paralajmërojnë Zyrtarët për një Tjetër Trazirë Shoqërore

 

Mediat shtetërore të Iranit e pranojnë që krizat sociale dhe ekonomike të Iranit janë shkaktuar nga keqmenaxhimi i mullahëve, dhe këto kriza e kanë kthyer shoqërinë në një fuçi baruti në prag të shpërthimit.

Në një intervistë me të përditshmen shtetërore Eghtesad-e Pooya të martën, Mohammad Reza Mahboubfar, një nga sociologët e regjimit, nënvizoi “përhapjen shumë të shpejtë të varfërisë” në Iran.

“Fatkeqësisht, statistikat zyrtare tregojnë se pragu i varfërisë në qytetet e mëdha llogaritet të jetë në shifrën 10 milion toman, që do të thotë se varfëria është përhapur në Iran. Varfëria ka pushtuar shoqërinë për shkak të rritjes së kostos së jetesës, problemeve në biznese, si dhe papunësisë. Kjo shkakton shumë fenomene shoqërore,” tha Mahboubfar për Eghtesad-e Pooya.

Një nga këto fenomene është rritja e numrit të familjeve që i shesin vajzat e tyre apo i përdorin ato për punë. “Një nga mënyrat për të siguruar jetesën në ditët e sotme [për familjet] është përdorimi i vajzave të tyre, që është shtuar. Kjo tregon se klasa e mesme e shoqërisë ka rënë fatkeqësisht në nivelin e klasës së paprivilegjuar, që do të thotë se 80% e popullit jetojnë ose në varfëri, ose nën pragun e varfërisë,” shtoi Mahboubfar.

Vitet e fundit, gazetaria qytetare ka regjistruar dhe publikuar disa skena dëshpëruese të varfërisë ekstreme në Iran, gjë që ekspozon gënjeshtrat e apologjetëve të regjimit se gjoja iranianët nën regjimin e mullahëve nuk vuajnë. Në vend që t’i ndihmojë të varfrit, regjimi i arreston ata që i publikojnë këto momente.

“Duhet të zgjidhim thelbin e problemeve, e jo të fajësojmë njerëzit që publikojnë videot e fotot,” tha Mahboubfar lidhur me këtë.

Iran Protests: Nationwide Uprising in Iran- November 2019

Më pas ai i paralajmëroi zyrtarët e regjimit për “probleme sigurie,” një term që zyrtarët e regjimit e përdorin për të përshkruar kryengritjet e popullit. “Autoritetet duhet të përpiqen të fitojnë kënaqësinë e popullit sepse, nëse populli nuk është i kënaqur, në vend nuk do të ketë as progres, as siguri,” tha ai.

Që me protestat e nëntorit 2019 në Iran, të cilat i shkundën themelet e regjimit, zyrtarë e media të ndryshme shtetërore paralajmërojnë vazhdimisht njëri-tjetrin për një kryengritje të re dhe përpiqen të fajësojnë njëri-tjetrin për këtë.