Sunday, June 20, 2021

Pandemia dhe Masat Kriminale të Regjimit Iranian Gjatë Vitit Pers 1399

E diela që vjen shënon ditën e parë të vitit të ri në kalendarin iranian, festë e cila quhet Novruz, dhe që do të thotë “ditë e re.” Kjo festë supozohet të evokojë optimizëm, por ndonëse viti 2021 filloi me shpresa të mëdha për shpërndarjen e vaksinave dhe fundin e pandemisë së koronavirusit, viti pers 1400 nuk do ta ketë fillimin kaq shpresëdhënës për popullin e Iranit.

Në shkurt, Lideri Suprem i regjimit Ali Khamenei e ndaloi importimin në Iran të vaksinave të prodhuara në Amerikë e Britani, duke e këputur kështu menjëherë një litar shpëtimi që i ishte shtrirë njërit prej vendeve më të prekura të botës. Ky urdhër çoi në anullimin e dërgesës së 150,000 dozave që do të vinin si donacion i disa filantropëve anonimë amerikanë. Ky urdhër i Khamenei-t ishte një nga shembujt më të qartë të mospërfilljes së regjimit të tij për situatën e iranianëve të rëndomtë dhe nënvizoi faktin që Teherani ka lejuar përhapjen pa kontroll të sëmundjes në mënyrë që të frenonte trazirat popullore.