Friday, March 29, 2024

Pandemia e COVID-19 Kërcënon Jetën e të Burgosurave Politike

Home  Women’s News

Më shumë se kurrë, pandemia e COVID-19 po kërcënon jetën e grave që janë të burgosura politike.

Më poshtë përshkruhet gjendja e disa të burgosurave politike, dënimet e reja me burg, dhe arrestimet e ditëve të fundit:

E burgosura politike Golrokh Ebrahimi Iraee

Golrokh Ebrahimi Iraee mbahet në burgun Qarchak në Varamin, ku jeta e saj është në rrezik.

Golrokh, një e burgosur politike, po mbahet në një godinë me kriminelet e rëndomta, në shkelje të rregullave të Iranit lidhur me ndarjen e të burgosurve. Për më tepër, sipas raporteve të besueshme, të paktën 100 gra në këtë godinë janë të infektuara me koronavirus.

Pas lirimit nga burgu, Golrokh është dënuar përsëri, këtë radhë me tre vite e shtatë muaj. Ajo ka qëndruar në burgun Qarchak që nga 9 nëntori 2019, dhe i është mohuar lirimi i përkohshëm.

Zyrtarët e burgut nuk kanë marrë ende asnjë masë për t’i mbrojtur të burgosurat nga Covid-19. Burgu Qarchak pranon të burgosura të reja, por nuk i implementon protokollet specifike për Covid-19, duke vënë kështu në rrezik edhe më shumë jetë.

Të burgosurat e tjera politike të arrestuara gjatë kryengritjes së nëntorit dhe që ndodhen gjithashtu në burgun Qarchak përfshijnë Nazanin Tusi, Gita Horr, Mojgan Eskandari, Samira Hadian, Maryam Alishahi, dhe Raha Ahmadi.

Dënime të reja me burg për aktivistet civile

Në një tjetër formë presioni mbi aktivistët civilë, regjimi po jep dënime të reja në mesin e krizës së koronavirusit.

Gjykata Revolucionare e Teheranit zhvilloi një seancë në mungesë më 13 maj 2020, kundër Jila Makvandi.

E arrestuar në Teheran më 12 nëntor 2019, kjo aktiviste civile është dënuar me gjashtë vite burg.

Jila Makvandi shkruan, “Jam dënuar, në mungesë, me gjashtë vite – pikërisht siç më kishte kërcënuar agjenti i inteligjencës i IRGC-së gjatë marrjes në pyetje!”

Në gusht 2018, agjentët e Ministrisë së Inteligjencës ia bastisën shtëpinë dhe e vunë nën presion për faktin se kishte protestuar kundër hixhabit të detyrueshëm.

Urdhër arresti për një përkthyese e studiuese

Dega e Zbatimit të Gjykimit në Nowshahr ka nxjerrë një urdhër arresti për Mojgan Kavousi, një përkthyese dhe studiuese. Mojgan është njëra nga të arrestuarit gjatë kryengritjes së nëntorit 2019.

Më herët, dënimi i Mojgan Kavousi ishte rritur deri në gjashtë vite e katër muaj burg gjatë procesit të apelimit.

Nxjerrja e urdhër arresteve për të dënuarit e bën shumë të vështirë për ta që të aplikojnë për lirim me kusht apo të kërkojnë leje.