Thursday, January 14, 2021

Protesta dhe Trazira në Katër Pavijone të Burgut të Urmia-s. Të Burgosurit Janë Sulmuar Brutalisht.

 

Thirrje për aksion urgjent ndërkombëtar për të shpëtuar të burgosurit e Urmia-s dhe për dërgimin e një komisioni hetues që të vizitojë burgjet

Sipas raporteve nga burgu i Urmia-s, qindra të burgosur janë rebeluar në pavijonet 1, 2, 3, dhe 4 të këtij burgu që mëngjesin e të mërkurës, 25 nëntor, duke thyer dritaret e burgut e duke u vënë zjarrin batanijeve në sallën përballë dhomës së rojave. I është vënë flaka edhe tryezës së rojave.

Ky rebelim erdhi si protestë ndaj rrahjes së një të burgosuri me emrin Hojjat Kazemnejad, si dhe ndaj mungesës së kushteve bazë të higjienës në situatën e koronavirusit, kostos së lartë të artikujve brenda burgut, refuzimit për të liruar të burgosurit deri në fund të pandemisë së koronavirusit, dhe mbajtjes së të burgosurve edhe pas mbarimit të dënimit.

Mëngjesin e të mërkurës, Hojjat Kazemnejad, një i burgosur të cilit i kishte mbaruar dënimi 25 ditë më parë, i vuri flakën vetes përpara dhomës së rojave të burgut për të protestuar ndaj faktit që vazhdonin ta mbanin të burgosur. Por rojat e burgut e rrahën ndërkohë që ai vuante nga plagët e djegies. Javën e shkuar, ai kishte nisur një grevë urie në protestë ndaj mos-lirimit të tij, por e kishin bindur që t’i jepte fund grevës me premtimin se do ta lironin.

Si rezultat i këtij sulmi, të paktën 15 të burgosur janë dërguar në spital për shkak të rrahjeve të rënda dhe përkeqësimit të gjendjes. Rojat i kanë ndërprerë të gjithë telefonat publikë të burgut në mënyrë që të mos dalë jashtë lajmi i rebelimit.