Wednesday, October 20, 2021

Raporti i IAEA-së mbi Iranin Ngre Pyetje të Mëtejshme për sa i Përket Vlerës së Bisedimeve të Gjenevës

Organizata Ndërkombëtare e Energjisë Atomike prezantoi raportin e saj tre-mujor mbi veprimtarit bërthamore të Iranit të martën, raport që konfirmoi se pengesat ndaj rikthimit në fuqi të marrëveshjes bërthamore të 2015-ës vetëm sa janë shtuar me tranzicionin e Iranit nga njëra administratë presidenciale në tjetrën. Kjo gjë nuk i ka habitur njerëzit që e njohin mirë këtë situatë, duke qenë se presidenti i regjimit Ebrahim Raisi, i cili u inaugurua më 5 gusht, njihet gjerësisht si një nga figurat më konservatore të regjimit, dhe ka qenë anëtar kyç i “komisionit të vdekjes” në masakrën e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë.
Çështja kryesore ishte nënvizuar përpara raportit të mëparshëm tre-mujor të IAEA-së, nga Drejtori i Përgjithshëm i këtij organi, Rafael Grossi, i cili kishte bërë thirrje për një marrëveshje suplementare ose zëvendësuese që të adresojë problemet e krijuara nga fakti që Irani e ka zgjeruar pasurimin e uraniumit dhe nga zhvillime të tjera të ngjashme të cilat e shkurtojnë kohën që do t’i duhet regjimit për të patur gati një armë bërthamore. “Irani ka akumuluar njohuri, ka akumuluar centrifuga, dhe ka akumuluar material,” tha ai si shpjegim për deklaratën e tij se “nuk është e mundur” që JCPOA thjesht të rikthehet në formën origjinale.

Nëse ky vlerësim ka qenë i saktë kur u bë në maj, vetëm sa është përforcuar edhe më tej nga përmbajtja e raportit më të fundit të IAEA-së, i cili vë në dukje se rezervat e uraniumit të pasuruar në 20 përqind të regjimit iranian janë rritur nga 62.8 kg në të paktën 84.3 kg gjatë një periudhe prej rreth tre muajsh. Sipas kushteve të JCPOA, kërkohej që Irani ta kufizonte pasurimin e uraniumit deri në nivelin 3.67 përqind, si dhe ta limitonte sasinë totale të rezervave të uraniumit. Regjimi filloi ta shkelte këtë kufizim shumë shpejt pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja në 2018-ën, dhe ka vazhduar t’i ngrejë tavanet e pasurimit në nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë. Raporti më i fundit i IAEA-së konfirmon gjithashtu se Irani ka përftuar 10 kg uranium të pasuruar në nivelin 60 përqind, duke i tejkaluar kështu nivelet që konsiderohen të nevojshme për gjenerimin e energjisë dhe kërkimin mjekësor, e duke u ndalur shumë pak para arritjes së niveleve të nevojshme për armët bërthamore, tani për tani.

Gjatë ditëve të fundit të mandatit të tij, presidenti Rouhani është mburrur publikisht se Irani do ta arrijë me lehtësi nivelin 90 përqind që duhet për prodhimin e armëve, edhe pse e zbuti këtë kërcënim të nënkuptuar duke thënë se do ta bëjë këtë vetëm nëse ai nivel bëhet i nevojshëm për qëllime që nuk kanë të bëjnë me prodhimin e armëve bërthamore. Kjo reflekton strategjinë e vjetër që regjimi përdor për t’i minimizuar veprimtaritë e tij bërthamore duke këmbëngulur se ato janë ekskluzivisht për qëllime paqësore, edhe atëherë kur vetë natyra e këtyre veprimtarive tregon se kjo nuk është e vërtetë.