Wednesday, October 20, 2021

Raporti i OKB për të Drejtat Njerëzore Përsërit Thirrjen për Veprim të Rezistencës Iraniane

Javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres i prezantoi një raport Asemblesë së Përgjithshme të OKB lidhur me dhunimet e vazhdueshme të të drejtave njerëzore nga Irani dhe çështjet e pazgjidhura lidhur me dhunimet e kryera në të shkuarën.

Të shtunën, Znj. Maryam Rajavi, presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, publikoi një deklaratë ku i mirëpriste fjalët e Guterres dhe përsëriste thirrjen që komuniteti ndërkombëtar t’i kërkojë llogari regjimit dhe zyrtarëve të lartë të tij.

“Populli dhe Rezistenca iraniane kërkojnë referimin e dosjes së dhunimeve të të drejtave njerëzore nga regjimi iranian tek Këshilli i Sigurimit i OKB,” tha Znj. Rajavi, duke shtuar se populli iranian dhe Rezistenca e tij bëjnë thirrje për “ndjekjen penale të Ali Khamenei, Ebrahim Raisi, Mohseni Ejei, dhe zyrtarëve të tjerë përgjegjës për katër dekada plot mizori.”

Tre zyrtarët e përmendur më sipër janë, përkatësisht, lideri suprem i regjimit, presidenti, dhe kryegjyqtari. Ejei e ka trashëguar postin e tij nga Raisi, të cilin Khamenei e pati emëruar si kryegjyqtar në 2019-ën dhe më vonë e promovoi si president.

Ngritja e Raisi-t në postin e presidentit pas shtypjes së protestave madhore në Iran në nëntor 2019, ishte pohimi më i paturpshëm i pandëshkueshmërisë, duke qenë se pjesëmarrja e Raisi-t në këtë shtypje vetëm sa e kishte theksuar edhe më tej trashëgiminë e tij si një nga autorët kryesorë të masakrës së të burgosurve politikë në verën e 1988-ës.

Deklarata e zonjës Rajavi e nënvizon këtë masakër si një arsye veçanërisht të fortë për ndjekje penale ndërkombëtare, duke vënë në dukje se ajo “përbën krim kundër njerëzimit dhe gjenocid.” Ky argument është bërë edhe më parë nga ekspertë të ligjit ndërkombëtar dhe të të drejtave njerëzore gjatë një konference të organizuar nga NCRI në gusht, ku morën pjesë edhe qindra ish të burgosur politikë iranianë dhe të mbijetuar të masakrës së 1988-ës.

Gjatë kësaj masakre u vranë 30,000 njerëz, dhe disa dëshmitarë okularë madje besojnë se edhe kjo mund të jetë një shifër e ulët në krahasim me realitetin. Në një prej 16 dëshmive me video që u publikuan në faqen e NCRI-së përpara konferencës, ish i burgosuri politik Mahmoud Royaei thotë se, “në disa burgje, nuk ka patur absolutisht asnjë të mbijetuar që të mund të jepte dëshminë e vet për këto ngjarje.”