Saturday, May 28, 2022

Të Ushtruarit Presion mbi Regjimin Iranian do t’i Japë Fund Dekadave të Tëra të Pandëshkueshmërisë Sistematike

 

Regjimi teokratik në Iran është përballur me një sfidë virtualisht të paprecedent nga populli iranian këto vitet e fundit. Në janar 2018, mbi 100 qytete të mëdha e të vogla u përfshinë në një varg protestash që ishin fillimisht të fokusuara tek çështjet ekonomike por që më pas u zgjeruan duke përfshirë thirrje si “vdekje diktatorit” si dhe thirrje për ndryshim regjimi. Në nëntor 2019, po ky mesazh përfshiu pothuajse 200 lokalitete si pjesë e një kryengritjeje tjetër mbarëkombëtare, dhe zyrtarët e regjimit hapën zjarr mbi turmat, duke vrarë mbi 1,500 njerëz.

Por as kjo gjë nuk u dha fund trazirave. Iranianët u derdhën përsëri nëpër rrugët e më shumë se dhjetë provincave në janar të vitit të shkuar, duke protestuar kundër vetë institucionit që kishte udhëhequr kryerjen e atyre vrasjeve, Gardës Revolucionare (IRGC). Pandemia e koronavirusit i reduktoi trazirat publike, por edhe pse Irani ende vuan nga një prej krizave më të rënda të sëmundjes në botë, komunitetit të aktivistëve duket se po i humb durimi.

Protestat në Iran: Kryengritja Mbarëkombëtare në Iran- Nëntor 2019

Protestat kanë qenë një veçori konstante e shoqërisë iraniane që kur regjimi i mullahëve zhvilloi një farsë zgjedhjesh për të konfirmuar presidentin e radhës më 18 qershor. Shumica dërrmuese e popullit iranian i bojkotoi ato zgjedhje në mënyrë që ta dënonte procesin e tyre, si dhe trashëgiminë e errët të kandidatit të para-zgjedhur, Ebrahim Raisi. Në verën e 1988-ës, ai luajti një rol kyç në masakrën ndaj 30,000 të burgosurve politikë, dhe së fundmi, ai ishte kryegjyqtar përpara dhe pas kryengritjes së 2019-ës dhe si i tillë mbikëqyri torturimin sistematik të aktivistëve pro demokracisë, torturime që zgjatën për muaj të tërë më pas.

Vetëdija publike për këto incidente ka qenë pa dyshim një forcë e madhe nxitëse prapa këtij bojkoti, dhe pa dyshim që mbetet një forcë nxitëse prapa protestave që vazhdojnë ende, edhe pse shumë prej tyre kanë nisur si rezultat i problemeve specifike si mungesat e ujit në provincën Khuzestan.

Pjesëmarrësit e Samitit Botëror për Iranin e Lirë, përfshirë parlamentarë të shquar dhe ekspertë të politikës së jashtme nga Europa dhe Amerika e Veriut, kanë ofruar disa sugjerime lidhur me masat e duhura që duhen ndjekur. Shumë prej tyre theksuan dobinë e një hetimi zyrtar mbi masakrën e 1988-ës, duke thënë se një hetim i tillë do të sinjalizonte përfundimin e pandëshkueshmërisë që Teherani ka gëzuar për një kohë të gjatë në çështjet e lidhura me të drejtat e njeriut. Amnesty International ka bërë një thirrje të ngjashme për veprim menjëherë pas fitores së Raisi-t në farsën e zgjedhjeve, si dhe në ditën e inaugurimit të tij.

Vetë autoriteti më i lartë i vendit, Khamenei, e ka pranuar se MEK ka qenë një forcë shtytëse prapa të dy kryengritjeve më të fundit. “Njësitë e Rezistencës” të kësaj organizate kanë luajtur një rol kyç edhe në promovimin e bojkotit të zgjedhjeve të Raisi-t, duke ia prezantuar këtë bojkot publikut si një mjet për të “votuar për ndryshim regjimi.”

Nuk është vonë për të bërë thirrje për një hetim zyrtar mbi masakrën e 1988-ës apo për të vënë sanksione Magnitsky mbi Raisi-n në mënyrë që të bëhet e qartë që ende ka pasoja për krime të tilla kundër njerëzimit. Nuk është vonë as për të mbështetur përpjekjet e popullit iranian për ta rrëzuar regjimin represiv në favor të një qeverie demokratike dhe të lirive qytetare.

Tani për tani, regjimi iranian duket i sigurt se të vetmet kërcënime madhore ndaj sundimit të tij vijnë nga brenda shoqërisë iraniane. Edhe pse këto kërcënime janë bërë shumë më serioze vitet e fundit, regjimi ka gjithashtu për qëllim që, duke ua dhënë postet më të larta qeverisëse abuzuesve më të këqij të të drejtave njerëzore, të mund ta shtypë disidencën me aq efektshmëri sa të mund ta ruajë pushtetin e vet.

Teherani nuk mund t’i përballojë me kaq efektshmëri kërcënimet ndaj pushtetit të tij kur ato vijnë njëkohësisht nga popullsia e vendit dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Kategoria e parë e sfidave përfshin konfliktin e drejtpërdrejtë, por kjo nuk është e domosdoshme edhe për kategorinë e dytë. Mjafton që fuqitë perëndimore ta izolojnë regjimin klerikal dhe t’i mbajnë ligjërisht përgjegjës kriminelët më të këqij të këtij regjimi, duke e dobësuar kështu edhe më tej një sistem që është tashmë i brishtë, si dhe duke ia lënë punën e vërtetë të ndryshimit të regjimit vetë popullit iranian.