Thursday, January 21, 2021

Vdekja Tragjike e një Djali Shtatë-Vjeçar në Iran

 

ImageMë 1 dhjetor, faqja Hamshahri Online raportoi se kufoma e shtatë-vjeçarit Seyed Ali-Asghar Mousavizadeh ishte gjetur në bregun e portit Dayyer. Pak kohë më parë, edhe vëllai 11-vjeçar i Ali-Asghar, Mohammad, pati kryer vetëvrasje për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme si tabletët dhe smartfonët, për pjesëmarrje në klasat mësimore online.

“Mbrëmjen e djeshme, banorët vendas na e pohuan me fjalë mbytjen e një fëmije shtatë-vjeçar në vendin e peshkimit të portit Dayyer në provincën Bushehr. Forcat shpëtuese të Bazës së Shpëtimit Detar të Dayyer u dërguan menjëherë në zonë. Ata nxorën nga uji kufomën e një fëmije të mbytur dhe ia dorëzuan atë urgjencës 115,” raporton agjencia e lajmeve ILNA.

Një nga pjesëtarët e stafit të urgjencës në Dayyer ka thënë, “Mbërritën në vendngjarje 30 minuta pas ndodhisë.” Provat dhe dëshmitarët okularë deklarojnë se fëmija i ndjerë është vëllai i vogël i Seyed Mohammad Mousavizadeh. Mohammad kishte kryer vetëvrasje për shkak të mungesës së një tableti, sipas rrjeteve sociale.

Pas shpërthimit të koronavirusit në Iran, autoritetet kanë treguar neglizhencë në trajtimin e krizës. Në prill, ndonëse vendi nuk kishte arritur në një pikë të pranueshme në vënien nën kontroll të virusit, zyrtarët i hoqën kufizimet dhe masat parandaluese, duke çuar kështu në valën e dytë të virusit vdekjeprurës. Sunduesit praktikisht i kanë detyruar qytetarët të zgjedhin midis vdekjes nga uria dhe asaj nga sëmundja.