Wednesday, October 20, 2021

Iran: Fjalimi që Pritet të Mbajë Ebrahim Raisi në OKB Është një Kërcënim për të Drejtat e Njeriut

Që kur Lideri Suprem i regjimit iranian e përzgjodhi Ebrahim Raisi-n si president, ka patur gjithnjë e më shumë thirrje që ai të ndiqet penalisht dhe të mos lejohet të bëjë vizita shtetërore. Megjithatë deri tani, shumica e këtyre thirrjeve kanë rënë në vesh të shurdhër. Raisi do të flasë në mbledhjen e përvitshme të Asemblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 21 shtator, dhe fjalimi i tij do të ketë të bëjë supozimisht me temat e drejtësisë dhe lirisë – terma që nuk kanë lidhje fare me përvojat ditore të qytetarëve iranianë apo me thelbin e identitetit të regjimit të Iranit.

Ky identitet është përforcuar javët e fundit nga emërimi dhe konfirmimi legjislativ i një numri zyrtarësh të lartë qëllimet terroriste të të cilëve janë në një nivel me ato të vetë presidentit. Kabineti i Raisit përfshin një numër të paprecedent oficerësh nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, disa individë që janë aktualisht të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, dhe një person që është subjekt i një urdhër arresti të Interpolit për përfshirjen e tij në shpërthimin e bombave në Buenos Aires në vitin 1994 ku u vranë 85 njerëz.

Edhe Raisi është sanksionuar nga SHBA në 2019-ën. Nuk ka asnjë urdhër për arrestimin e tij në asnjë vend, por arsyeja e vënies së sanksioneve kundër tij mund të merret si bazë për arrestimin e tij nga autoritetet praktikisht në çdo vend të botës. Kjo u shpjegua muajin e kaluar nga shumë ekspertë të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar, në një konferencë virtuale të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit, konferencë që shërbeu si hapësirë për diskutime në lidhje me masakrën e 1988-ës ndaj të burgosurve politikë.

Kjo konferencë u fokusua në rolin që Raisi ka luajtur në ato vrasje. Për familjet e viktimave, për zyrtarë të tjerë të regjimit iranian dhe për Lëvizjen e Rezistencës, e cila punon për të përmbysur sistemin që i ka mbështetur autorët e masakrës për më shumë se tre dekada, ndjekja penale e Raisit do të ishte një tregues i fuqishëm se pandëshkueshmëria e regjimit në këto çështje po i afrohet fundit.