Thursday, September 24, 2020

Iran: Khamenei mban fjalim për t’ua ngritur moralin jashtëzakonisht të ulët forcave të regjimit

Iran, 17 janar 2020— Lideri Suprem i regjimit iranian Ali Khamenei udhëhoqi shërbimin e lutjeve të së premtes në Teheran për herë të parë në tetë vite të premten, më 17 janar, duke treguar kështu rëndësinë e zhvillimeve të fundit për regjimin e mullahëve.

Duke përmendur gënjeshtrat për “miliona” njerëzit që kanë marrë pjesë në ceremonitë shtetërore të mbajtura për kreun e vdekur të Forcave Quds të Gardës Revolucionare (IRGC), Qassem Soleimani, Khamenei u përpoq dëshpërimisht ta zbuste shqetësimin e forcave të regjimit dhe të parandalonte dezertime të mëtejshme të cilat janë tashmë në rritje. Khamenei u përpoq madje të kërcënonte me forcë ushtarake lidhur me sulmet me raketa të 8 janarit, raketa të cilat u lëshuan nga Irani perëndimor në Irak me në shënjestër bazat ushtarake të trupave amerikane.

“… ata pak qindra njerëz që kanë poshtëruar imazhin e Qassem Soleimani-t,” tha Khamenei duke shfaqur zemërimin e tij të thellë ndaj popullit dhe rinisë së guximshme iraniane që shfaqin urrejtjen e tyre për Soleimani-n, vrasësin e mijëra e mijëra njerëzve të pafajshëm si brenda ashtu edhe jashtë Iranit.

Si gjithmonë, anëtarët e IRGC-së dhe paraushtarakët Basij të cilët ishin dërguar tek vendi ku do të mbante fjalim Khamenei, ishin të pranishëm për të nisur korin e tyre të zakonshëm kundër SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe opozitës iraniane, Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Ndonëse heshti lidhur me rrëzimin e avionit ukrainas nga IRGC, gjë që u mori jetën 176 njerëzve të pafajshëm, Khamenei bëri komente të përbuzshme që ta ulte disi rëndësinë e çështjes. “Ata u përpoqën ta paraqitnin këtë në mënyrë të tillë” që t’i mbulonte ceremonitë shtetërore për Soleimani-n dhe sulmin e regjimit me raketa kundër bazave ushtarake të ushtarëve amerikanë në Irak.

Khamenei i karakterizoi Forcat Qods të IRGC-së si “luftëtarë pa kufij” duke treguar kështu qartë se ai mbetet gjithnjë e më shumë i përkushtuar ndaj ndërhyrjeve rajonale e terrorizmit të mullahëve, dhe e lavdëroi Soleimani-n për organizimin dhe forcimin e sulmeve jashtë-territoriale të regjimit.

Vetë fakti që Khamenei e ka parë të nevojshme të drejtonte lutjet e së premtes për herë të parë pas tetë vitesh është shenjë e krizave ekstreme që po përmbytin regjimin e tij. Kjo vjen sidomos pas kryengritjes së nëntorit 2019 e cila ka vazhduar me protesta të tjera dy javët e fundit.

Duke theksuar shqetësimet e mëtejshme të regjimit të mullahëve, Khamenei i shfreu Francës, Gjermanisë e Mbretërisë së Bashkuar për faktin që kanë vënë në lëvizje një mekanizëm të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve lidhur me shkeljet e paktit bërthamor të 2015-ës nga regjimi iranian. Pavarësisht tonit të tij të ashpër, Khamenei u tregua i kujdesshëm që të mos e anullonte mundësinë e negociatave, duke thënë se regjimi i tij nuk ka asnjë problem me negociatat, vetëm që ato të mos bëhen me SHBA-në.