Friday, March 29, 2024

Iran: Konferencat në SHBA dhe Europë Bëjnë Thirrje për Ndjekjen Penale të Raisi-t Ndërkohë që Ai Flet në OKB

Të martën, Presidenti i regjimit iranian Ebrahim Raisi u paraqit në mbledhjen e përvitshme të Asemblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me një fjalim të regjistruar që më parë, në të cilin ai shmangu çështjen e proliferimit bërthamor dhe fajësoi Shtetet e Bashkuara për problemet aktuale të Iranit. Duke iu referuar sanksioneve ekonomike si një mjet i ri lufte, Raisi akuzoi Departamentin amerikan të Thesarit se nuk ka lejuar importimin e barnave gjatë pandemisë së koronavirusit, dhe pastaj citoi zhvillimet e fundit, si tërheqja kontroversale nga Afganistani, duke i quajtur ato shenja të rënies dhe dështimit të Amerikës.
Këto pika u refuzuan ditën e fjalimit jo vetëm nga zyrtarët amerikanë, por edhe nga mërgimtarët iranianë nëpër botë. Mbrëmjen përpara fjalimit të Raisi, Organizata e Komuniteteve Iraniano-Amerikane kishte mbajtur një konferencë në Uashington D.C., ku u dënua pjesëmarrja e presidentit iranian në Asemblenë e Përgjithshme dhe u theksua përfshirja e tij në dhunime të të drejtave njerëzore dhe krime kundër njerëzimit në të shkuarën. Një event i ngjashëm është zhvilluar edhe në Stokholm të Suedisë të martën, për të theksuar thirrjen e organizatorëve që Raisi të vihet para përgjegjësisë për rolin e tij kyç në masakrën ndaj mbi 30,000 të burgosurve politikë në 1988-ën.
Mospërfillja e qëllimshme e Teheranit për masakrën e 1988-ës është riafirmuar në raste të shumta gjatë 33 viteve të fundit, dhe caktimi i Raisi-t në krye të presidencës është një ndër shembujt më të qartë të kësaj. Në Gjatë periudhës përpara “zgjedhjeve” të qershorit 2021, Raisi është dënuar gjerësisht nga aktivistët iranianë si “ekzekutuesi i 1988-ës” – një etiketim që u përsërit nga ish të burgosurit politikë iranianë në konferencat e kësaj jave. Në kohën e masakrës, Raisi ishte njëri nga katër zyrtarët që bënin pjesë në “komisionin e vdekjes,” të Teheranit, një organ që merrte në pyetje të burgosurit dhe jepte urdhër për ekzekutime në burgjet Evin dhe Gohardasht, duke u hapur rrugë kështu procedurave të ngjashme nëpër burgje anembanë vendit.

Nasrollah Marandi, duke folur në emër të një delegacioni të tërë ish të burgosurish politikë në konferencën e Stokholmit, raportoi se ata kishin qenë dëshmitarë të ekzekutimit të mijëra shokëve e kolegëve të tyre në dy burgjet ku Raisi kishte patur juridiksionin e tij fillestar. “Shumë nga shokët tanë kanë qenë dëshmitarë të ekzekutimit të shumë anëtarëve të MEK nga Raisi në Hamedan dhe Karaj,” shtoi ai, duke iu referuar Mojahedin-e Khalq, apo Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), e cila ishte zëri kryesor i opozitës ndaj regjimit teokratik, dhe si rrjedhim u bë fokusi kryesor i masakrës së 1988-ës.

Sipas raporteve, kjo masakër ka shkaktuar rreth 30,000 viktima gjatë një periudhe tre-mujore, dhe 90 përqind e këtyre viktimave kanë qenë të lidhur me MEK. Ebrahim Raisi konsiderohet se ka patur përgjegjësi direkte për këtë ritëm ekzekutimesh, dhe prania e tij në Hamedan dhe Karaj, si dhe në Teheran, është provë për këtë. Kur ekzekutimet sistematike ishin vënë në vijë në burgun Evin, Khomeini e zgjeroi personalisht juridiksionin e Raisi-t si shpërblim për entuziazmin që ai kishte treguar në implementimin e fetvas së Khomeinit, e cila jepte urdhër për ekzekutimin masiv të anëtarëve dhe mbrojtësve të MEK. Në një letër, themeluesi dhe lideri i parë suprem i regjimit, i dha pushtet Raisi-t për të korrigjuar “dobësinë e sistemit gjyqësor” duke lehtësuar zbatimin e “urdhrit të Zotit” në disa qytete ku MEK besohej se kishte aktivitet të lartë.