Thursday, October 22, 2020

Iran: Përfaqësuesi i Liderit Suprem Bën Thirrje për Ekzekutimin e Protestuesve dhe që Ambasadori Britanik të Shqyhet në Copa

Iran: Përfaqësuesi i Khamenei-t në Mashhad bën thirrje për ekzekutimin e protestuesve dhe që ambasadori britanik të shqyhet në copa!

Më 14 janar, Ahmad Alamolhoda, Imami i Lutjeve të së Premtes në Mashhad dhe përfaqësuesi i liderit suprem të regjimit iranian Ali Khamenei në Provincën Khorasan Razavi, duke iu referuar arrestimit të Ambasadorit Britanik në Iran javën e shkuar, tha se duhej ta kishin “shqyer në copa.”

“Disa thonë se Ambasadori Britanik duhet të dëbohet. Dëbimi i Ambasadorit Britanik do të ishte akti më i madh i mirësisë ndaj tij. Nëse populli ynë pranon që ai të dëbohet, ky do të ishte akti më i madh i faljes. Jo. Ambasadori Britanik duhet të shqyhet në copa,” tha Alamolhoda.

Duke iu referuar protestuesve që kanë dalë nëpër rrugë duke protestuar kundër rrëzimit të qëllimshëm të një avioni nga regjimi, si “kolona e pestë e armikut,” ai tha: “Ata janë kolona e pestë. Ka raporte se kur ata kalonin dhe në tokë kishte foto të flamurit amerikan e izraelit, ata nuk shkelnin mbi këta flamuj. Kalonin anash tyre. Ata janë [kukulla] amerikane e izraelite. Ata janë kolona e pestë e SHBA-së dhe Izraelit që po i bëjnë këto gjëra në këtë vend. Kudo në botë, çfarë bëjnë njerëzit me kolonat e pesta? Të njëjtën gjë duhet të bëni edhe ju me kolonën e pestë,” 

Ai bëri thirrje gjithashtu për ekzekutimin e të gjithë protestuesve të arrestuar të cilët kanë shqyer fotot e Komandantit të eliminuar të Forcave Quds të Gardës Revolucionare (IRGC), Qassem Soleimani, duke thënë: “Një tufë spiunësh e agjentësh të paguar dolën nëpër rrugë për 3 ditë [rresht] dhe shqyen fotot e Soleimani-t, dhe ne supozohet që të heshtim? Zyrtarët e Drejtësisë duhet të kuptojnë se jemi në gjendje lufte. Kemi lëshuar 13 raketa kundër shënjestrave amerikane, dhe jemi në luftë me këtë vend. Kur një vend është në gjendje lufte, ata që bashkëpunojnë me armikun identifikohen si kolona e pestë dhe duhet të gjykohen ushtarakisht e të ekzekutohen.”  

Ai u përpoq gjithashtu ta paraqiste si një sukses të madh përpjekjen e dështuar të regjimit për ta portretizuar Soleimani-n si hero kombëtar gjatë ceremonisë së varrimit të tij, dhe tha në mënyrë naive: “Në një qytet [Mashhad] ku 7 milion njerëz mbajtën zi për Soleimani-n, a nuk u gjetën dhjetë mijë vetë për të mos i lejuar [protestuesit] ta grisnin foton e tij?,” ndërkohë që popullsia e përgjithshme e qytetit Mashhad është 3.6 milion. 

Fjalët e tij theksojnë edhe një herë thirrjen e Znj. Maryam Rajavi, presidentes së zgjedhur të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, drejtuar komunitetit ndërkombëtar, në veçanti Kombeve të Bashkuara, për të dërguar në Iran një mision të gjetjes së fakteve që të garantojë sigurinë e protestuesve të arrestuar.