Tuesday, September 29, 2020

Iran: Grevat e Punëtorëve të Naftës, Gazit dhe Kompanive Petrokimike në 12 Provinca Hyjnë në Ditën e Tetë Rresht

 

Sot, e shtunë, më 8 gusht 2020, greva mbarëkombëtare e punëtorëve të naftës, gazit e kompanive petrokimike ka vazhduar në 20 qytete të 12 provincave. Janë në grevë punëtorë e punonjës të 44 rafinerive, kompanive e fabrikave të lidhura me industrinë petrokimike, të naftës, dhe të gazit në Isfahan, Ardabil, Azerbaixhan Perëndimor, Azerbaixhan Lindor, Ilam, Bushehr, Khorasan Razavi, Khuzestan, Fars, Sistan dhe Baluchestan, Provincën Qendrore, dhe Hormozgan.

Grevës po i bashkohen çdo ditë e më shumë punëtorë e punonjës të kompanive e rafinerive. Mëngjesin e sotëm, grevistëve iu bashkuan edhe punëtorët me kontratë të bazës Khatam në fazat 2 dhe 3 të Asaluyeh.

Nga frika e vazhdimit dhe zgjerimit të grevës, agjentët e regjimit shpallën se në llogaritë e punëtorëve janë transferuar rrogat e papaguara për katër muaj të punëtorëve të kompanisë “Tanesh Gostar” në centralin elektrik të Pars-it Jugor, si dhe rrogat e papaguara për një muaj të punëtorëve të kompanisë “Sanat Pajohan”. Por punëtorët kanë thënë se do ta vazhdojnë grevën deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre.

Njëkohësisht, në ditën e 55-të të grevës së tyre, punëtorët e Kompleksit Industrial të Kallamsheqerit Haft Tappeh u grumbulluan sot në qytetin Sush dhe shpallën se do të vazhdojnë me kërkesat e tyre, duke përfshirë kërkesën për heqjen e një zyrtari të lidhur me regjimin i cili e ka marrë nën kontroll kompleksin nën pretekstin e privatizimit të kompanisë.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), e ka lavdëruar këmbënguljen e grevistëve dhe i ka bërë thirrje publikut, sidomos të rinjve, që të ngrihen për t’i mbështetur. Znj. Rajavi nxit Organizatën Ndërkombëtare të Punëtorëve dhe unionet e profesioneve që t’i mbështesin protestat e punëtorëve iranianë dhe t’i dënojnë politikat anti-punëtor të regjimit klerikal.