Sunday, April 11, 2021

Iran: Karakteristikat e Protestave në Sistan dhe Baluchistan

Protestat shpërthyen në Saravan të provincës Sistan dhe Baluchistan, në Iranin jug-lindor, pasi forcat e regjimit hapën zjarr mbi një grup hamajsh të varfër të lëndës djegëse, duke vrarë e plagosur dhjetëra prej tyre. Protestat u përhapën me shpejtësi në mbarë provincën, dhe protestuesit e zemëruar morën në shënjestër qendrat represive të regjimit, duke treguar kështu se regjimi ka dështuar në vënien nën kontroll të shoqërisë së trazuar.

Të rinjtë në lagjen Sarjangal pranë Zahedan-it, qendrës së provincës Sistan dhe Baluchistan, hynë me forcë dhe e morën nën kontroll një bazë të Gardës Revolucionare (IRGC) pavarësisht faktit që IRGC kishte hapur zjarr mbi turmën.

Sipas raporteve të marra nga Rezistenca Iraniane, regjimi ka dërguar automjete ushtarake në Sistan dhe Baluchistan. Si përgjigje, banorët kanë krijuar bllokada për t’i penguar forcat shtypëse. Pronarët e bizneseve të vogla në qytetet Zahedan dhe Iranshahr kanë dalë në grevë në solidaritet me njerëzit që kanë ngritur krye në mbarë provincën.

Më 27 shkurt, të rinjtë e rebeluar u vunë zjarrin zyrave të distriktit Ashar, 60 km nga qyteti Sarbaz. Në të njëjtën kohë, protestuesit bllokuan aksin Panjshir-Mirjavah dhe aksin e tranzitit Chabahar-Kanarak për të mos lejuar ardhjen e përforcimeve të tjera.

Protestuesit në Zahedan bllokuan rrugët në “sheshin Khomeini” në hyrje të qytetit mbrëmjen e së premtes. Në një tjetër zhvillim, banorët e Sarbaz i vunë zjarrin kioskës së policisë në “Urën Sarbaz.”