Sunday, September 19, 2021

Iran: Kriza e Ujit në Isfahan dhe Protestat e Fermerëve

Për shkak të politikave të regjimit iranian, lumi Zayanderud, që është më i madhi në rrafshnaltën e Iranit, është tharë duke ndikuar kështu në ekosistemin dhe në jetët e banorëve vendas. Ditët e fundit, fermerët në provincën Isfahan të Iranit qendror kanë zhvilluar protesta duke kërkuar të drejtën e tyre për ujë.

“Gjatë muajve të fundit të qeverisjes së Hassan Rouhani-t, ajo që ka mbetur nga lumi Zayandehrood, që është arterja jetike e Rrafshnaltës Qendrore të Iranit, është një rrugë e mbuluar me dhe në zemër të Isfahanit,” shkruante të shtunën agjencia shtetërore e lajmeve Mehr.

Fermerët kanë kohë që zhvillojnë tubime dhe protestojnë kundër politikave shkatërrimtare të regjimit për shpërndarjen e ujit. “Zyrtarët e provincës kanë shpallur se uji do të shpërndahet në maj por nuk e kanë specifikuar kohën e saktë, kohëzgjatjen, dhe vëllimin e ujit që do të jepet,” citohet një fermer nga Mehr.

“Duhet ta përgatisim tokën për kultivim. Duhet të kemi farat dhe plehun e duhur, por askush nuk merr përgjegjësi për ne. Mbetemi të pavendosur dhe nuk kemi të ardhura me këto kushte ekonomike,” thotë për Mehr fermeri, i identifikuar si Seyed Morteza.

Politikat shkatërrimtare të regjimit për shpërndarjen e ujit ndikojnë negativisht jo vetëm në jetët e fermerëve, por edhe në ekosistem. “Sa herë që lumi Zayanderud thahet në Isfahan, mijëra peshq ngordhin, dhe ky është një rrezik i madh për mjedisin,” shton agjencia e lajmeve Mehr.