Wednesday, January 26, 2022

IRAN: Përplasjet Midis të Rinjve të Rebeluar dhe Gardës Revolucionare

Janë Plagosur të Paktën 50 Protestues në Isfahan

Me gjithë mobilizimin masiv të forcave represive, përdorimin e gazit lotsjellës dhe sulmin e egër të motoçikletave e njësive speciale, të rinjtë e rebeluar dhe fermerët e Isfahanit e vazhduan kryengritjen e tyre.

Ata u përleshën me mercenarët e IRGC-së, forcave Basij dhe Forcave të Sigurisë Shtetërore (SSF) në shtratin e lumit ZayandehRud dhe në rrugët përreth, duke i detyruar ata të tërhiqen mbrapsht në shumë zona. Thirrjet “Vdekje diktatorit dhe vdekje Khamenei-t”, “Turp të keni”, “Një ushtri ka ardhur për të luftuar liderin (Khamenei), “Vdekje Velayat-e Faqih për të gjitha krimet që ka kryer në kaq shumë vite”, dhe “Turp për Khamenei-n, lëre vendin të qetë”, dëgjoheshin në të gjitha zonat. Populli dhe të rinjtë e Isfahanit morën nën kontroll mbikalimin në urën Khajoo (Një urë historike mbi lumin ZayandehRud) si dhe shtratin e lumit.

Demonstruesit ndezën zjarr në shtratin e lumit Zayandeh Rud për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës. Ata brohorisnin: “Kemi ardhur të luftojmë”, “Plumbat, tanket etj., nuk do ta shpëtojnë këtë regjim, mullahët duhet të ikin”, “Vdekje Shahut dhe Khameneit”. Të rinjtë e rebeluar bllokuan gjithashtu edhe rrugën Mushtaq. Makinat e që po kalonin në të u solidarizuan me protestuesit duke u rënë borive.

Për ta vënë nën kontroll kryengritjen e Isfahanit në vende të ndryshme, forcat represive hapën zjarr ndaj protestuesve duke përdorur armë me fishekë manovre dhe gaz lotsjellës. Deri në mbrëmjen e sotme, të paktën 50 protestues ishin plagosur, shumë prej tyre me lëndime në kokë dhe fytyrë. Shumica e të plagosurve kanë refuzuar të shkojnë në spital nga frika e arrestimit.

Regjimi çnjerëzor ka ndërprerë internetin në Isfahan dhe në disa qytete të tjera, si Urmia dhe Ahvaz, për të parandaluar përhapjen e lajmeve dhe të kryengritjes.

Zonja Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka përshëndetur popullin dhe rininë trime të Isfahanit që i ka rezistuar sulmit të Gardës Revolucionare dhe gazit lotsjellës, dhe ka thënë se armiku i vetëm i Isfahanit dhe Zayandehrudit është regjimi i urryer i Velayat-e Faqih, i cili ka sunduar për më shumë se katër dekada. Ai e ka pushtuar dhe e ka zënë rob atdheun tonë. Populli dhe rinia jonë duan ta çlirojnë atdheun tonë kaq të bukur.