Tuesday, September 29, 2020

Iran: Punëtorët e Naftës Dalin në Grevë

Znj. Rajavi përshëndet punëtorët e shtypur, u bën thirrje të gjithëve që t’i mbështesin ata për të fituar të drejtat e tyre
Sot, e shtunë 1 gusht 2020, punëtorët e rafinerive në Abadan dhe Mahshahr, të Rafinerisë së Naftës në Qeshm, si dhe punëtorët e Rafinerisë Parsian, Kompanisë Petrokimike në Lamerd (Provinca Fars), dhe të fazave 22 dhe 24 të Pars-it Jugor në Kangan (Provinca Bushehr) dolën në grevë në protestë ndaj kushteve të vështira të punës, mungesës së sigurisë minimale në punë, dhe mos-dhënies së rrogave e bonuseve.
Në një deklaratë, grevistët dënuan ata që e thyejnë grevën dhe theksuan se emrat e tyre do të publikohen në fazën tjetër të fushatës së protestave.
Të mërkurën, më 29 korrik, punëtorët e fushës së naftës në Azadegan-in Verior e ndalën punën në protestë ndaj rrogave të ulëta. Greva u bë pasi drejtori ekzekutiv i fushës së naftës kishte kërcënuar se do t’i hiqte nga puna disa nga punëtorët.
Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), ka përshëndetur punëtorët grevistë në Abadan, Mahshahr, Qeshm, Parsian, Lamerd, dhe Pars Jugor, duke theksuar se punëtorët e shtypur janë ngritur për të fituar të drejtat e tyre të vjedhura nga regjimi anti-punëtor.
Znj. Rajavi nënvizoi se, me anë të kontratave shtypëse, regjimi klerikal i shfrytëzon punëtorët dhe nuk ua paguan madje as rrogat e tyre të vogla. Regjimi e shpërdoron kapitalin e vendit për projekte bërthamore e raketash, si dhe për terrorizëm, ose e vjedh atë dhe e fut në llogaritë bankare të zyrtarëve të tij e familjeve të tyre jashtë vendit.
Znj. Rajavi i bëri thirrje të gjithëve që t’i mbështesin punëtorët që kanë dalë në grevë për të fituar të drejtat e tyre të shkelura.