Friday, May 14, 2021

Mediat Shtetërore të Iranit Paralajmërojnë Zyrtarët për një “Shpërthim Shoqëror”

 

Iran ProtestsTeksa krizat shoqërore dhe ekonomike thellohen në Iran, zyrtarët, ekspertët dhe mediat shtetërore të regjimit po paralajmërojnë për një tjetër kryengritje.

“Çmimet jashtëzakonisht të larta dhe problemet e jetesës vazhdojnë të jenë ende problemet me të cilat përballet shoqëria iraniane. Ndërkohë, shumë sociologë paralajmërojnë për pasojat e jetesës së pamjaftueshme të njerëzve dhe për reagimin e mundshëm të tyre,” shkruante e përditshmja shtetërore Arman të shtunën.

Në artikullin e saj, e përditshmja Arman interviston Mostafa Eghlimi-n, një prej sociologëve të regjimit.
Në përgjigje ndaj pyetjes “si ndikojnë presionet ekonomike në jetën e njerëzve?” Eghlima nënvizon krizën ekonomike të Iranit, e cila është shkaktuar nga korrupsioni dhe politikat e gabuara të regjimit.
“E vërteta është se inflacioni në vend është rritur me 35% brenda vitit të fundit, dhe çmimet e shumicës së produkteve që i nevojiten njerëzve janë trefishuar. Në situatën aktuale, punëtorët jetojnë në kushte të pamjaftueshme ekonomike. Shumë pronarë dyqanesh kanë parë ulje të numrit të klientëve.

Nga ana tjetër, papunësia po rritet ditë pas dite në shoqëri. Situata është e tillë që kompanitë private ose janë mbyllur pjesërisht, ose janë detyruar t’i pushojnë nga puna punonjësit e tyre. Si rezultat, rritja e çmimeve kohët e fundit i ka zemëruar njerëzit, dhe shoqëria është në prag të një shpërthimi. Edhe nëse nuk ndodh tani, do të ndodh së shpejti,” tha Eghlima për Arman më 3 prill.

Ndërkohë që zyrtarët e regjimit dhe të afërmit e tyre jetojnë në luks, ata i këshillojnë njerëzit të “rezistojnë” ndaj vështirësive ekonomike dhe “të kënaqen” me ato që kanë. Ata refuzojnë gjithashtu t’i zgjidhin problemet e njerëzve dhe bëjnë vetëm premtime boshe.

“Kushtet ekonomike të popullit kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet shoqërore. Ndërkohë, askush nuk është i gatshëm ta pranojë përgjegjësinë për problemet shoqërore dhe ekonomike të popullit. Në këtë situatë, disa i këshillojnë njerëzit të rezistojnë. Pyetja është, kur babai nuk ka mundësi të ushqejë gruan dhe fëmijët, si mund të rezistojë ai? Qeveria ka shpallur se do të rrisë rrogat, por sa herë që e bën këtë, ajo rrit edhe taksat. Populli e urren një qeveri që nuk mund të menaxhojë krizat. Populli nuk jeton dot me premtime, dhe premtimet e zyrtarëve nuk bëhen ushqim në tryezat e njerëzve,” vazhdoi Eghlima lidhur me këtë.

Regjimi iranian dhe apologjetët e tij përpiqen të fajësojnë sanksionet ndërkombëtare për krizat ekonomike e financiare të Iranit. Gjithashtu, ata i quajnë iranianët që kërkojnë ndryshim regjimi “rebelë të lidhur me armiq të huaj.”

“Rrënjët e incidenteve [kryengritjeve] të kohëve të fundit janë njëqind përqind të brendshme, dhe ka çështje të papërfillshme që lidhen me jashtë Iranit. Disa zyrtarë thonë se rrënja e trazirave shoqërore të kohëve të fundit është jashtë Iranit. Kjo do të thotë që zyrtarët nuk e drejtokan vendin, dhe disa njerëz të tjerë përtej kufijve vendoskan për ne. Vitet e fundit, kursi i këmbimit të dollarit në vend është lëkundur gjithnjë. A duhet ta kërkojmë arsyen jashtë kufijve? Jo. Arsyeja e kësaj janë politikat e gabuara ekonomike të ndërmarra nga autoritetet, dhe jo armiqësia e Shteteve të Bashkuara,” pohoi Eghlima.

“Kur presioni ekonomik mbi njerëzit e tejkalon kapacitetin e tyre, natyrisht që këto presione shndërrohen në protesta nëpër rrugë. Edhe për sa kohë mund ta menaxhojmë shoqërinë siç kemi bërë në të shkuarën? Sa më shumë premtime boshe të bëjmë dhe sa më shumë ta shtyjmë për të ardhmen zgjidhjen e problemeve të tyre, aq më i rëndë do të jetë shpërthimi shoqëror. I paralajmëroj zyrtarët. Ata duhet ta vënë mendjen në punë tani dhe t’i shtojnë përpjekjet për t’iu përgjigjur kërkesave të njerëzve,” paralajmëroi Eghlima zyrtarët e regjimit.

Regjimi i ka shtuar masat shtypëse për ta vënë nën kontroll shoqërinë e trazuar të Iranit. Këto masa përfshijnë ekzekutimet, arrestimet arbitrare, dhe torturën. Por a do ta ndihmojnë këto akte regjimin për ta ruajtur pushtetin?

Protestat e përditshme në Iran dhe kryengritja e kohëve të fundit në veri-lindje e jug-lindje të Iranit tregojnë se strategjia e regjimit për ta vënë nën kontroll shoqërinë me anë të shtypjes nuk funksionon më.