Wednesday, October 27, 2021

Mesazhi Themelor i Protestave të Pensionistëve në Iran: Një Shoqëri e Trazuar

Pensionistët zhvilluan tubime në mbi 17 qytete në mbarë Iranin të dielën, për të shtatën javë rresht. Ata protestojnë kundër pagave të ulëta dhe refuzimit nga ana e regjimit për t’ua përshtatur pensionet mbi bazën e zhvlerësimit të rialit dhe inflacionit të shfrenuar. Çfarë mesazhi përçojnë këto protesta?

Pensionistët thërrisnin me sllogane si “Rezultati i punës së qeverisë është plaçkitja e pasurisë së popullit,” “Vendi ynë është plot me thesare, por ne jetojmë me vuajtje,” dhe “Strehimi dhe sigurimi i jetesës janë të drejtat tona të patjetërsueshme,” duke iu referuar korrupsionit të institucionalizuar të regjimit, i cili shkakton varfërinë e popullit.

Protestuesit kërkuan implementimin e nenit 96 të ligjit të mirëqenies, i cili deklaron se pensionet duhet të përshtaten për t’ua lejuar pensionistëve që të sigurojnë nevojat e tyre. Protestuesit kërkojnë gjithashtu shërbim shëndetësor falas për pensionistët dhe që t’u jepet përparësi kërkesave të pensionistëve në seancat parlamentare të regjimit.

Ndërkohë që regjimi dhe apologjetët e tij përpiqen të fajësojnë sanksionet e Shteteve të Bashkuara për të gjitha krizat e Iranit, pensionistët thërrasin: “Armiku ynë është këtu, gënjejnë kur thonë se është Amerika.”

Protestat e pensionistëve përputhen me protestat e tjera të përditshme që zhvillohen nga të gjithë sektorët e shoqërisë në mbarë Iranin. Këto protesta po përhapen dhe intensifikohen.

Aparati represiv i regjimit, nga frika e pasojave të veprimeve të tij, nuk kishte reaguar ndaj protestave të pensionistëve gjatë këtyre javëve të fundit. Ishte përpjekur vetëm t’i frikësonte protestuesit. Por këtë javë, regjimi ka arrestuar disa pensionistë në qytete të ndryshme, duke përfshirë Teheranin. Forcat e sigurisë sulmuan pensionistët por, për shkak të rezistencës së protestuesve, u detyruan të tërhiqeshin.