Sunday, April 11, 2021

Një analizë e protestave në Sistan dhe Baluchestan të Iranit, dhe e shkaqeve të tyre

Sistan and Baluchestan protests- fuel carriers

Sot është dita e gjashtë e protestave të Sistan dhe Baluchestan të cilat filluan në Saravan, në jug-lindje të Iranit. Protestat shpërthyen më 22 shkurt kur transportuesit Baluch të lëndës djegëse u grumbulluan pranë një baze të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në kufi të Saravan-it për të protestuar mbylljen e kufirit. Anëtarët e Gardës, të cilët kishin hapur gropa të gjera në kufi për të mos lejuar kalimin e transportuesve të lëndës djegëse, qëlluan mbi protestuesit, duke vrarë e plagosur dhjetëra njerëz.

Regjimi e ndërpreu lidhjen me internetin mbrëmjen e së mërkurës për t’i qetësuar protestat në Sistan dhe Baluchestan. Por megjithatë, përplasjet sporadike dhe forma të tjera protestash kanë vazhduar dhe janë përhapur në disa qytete të tjera të provincës, duke përfshirë qendrën e provincës, Zahedan.

Qeveria sjell vazhdimisht përforcime nga provinca të tjera, duke përfshirë Isfahan-in në Iranin qendror dhe provincën fqinje Kerman.

Transportimi i lëndës djegëse, e vetmja mundësi punësimi në provincën e varfër

Termat “transportues lënde djegëse” dhe “hamall kufiri” janë një pasojë fatkeqe e 42 viteve korrupsion e keqmenaxhim nën regjimin iranian, të cilat kanë rezultuar në një mungesë të konsiderueshme mundësish për punë, sidomos për iranianët në perëndim e në lindje të vendit.

Shumë njerëz në provincën Sistan dhe Baluchestan të Iranit jug-lindor detyrohen të transportojnë lëndë djegëse përtej kufirit, ndërsa iraniano-kurdët në Iranin perëndimor, të quajtur “Kolbar” në gjuhën e tyre vendase, detyrohen të bartin ngarkesa të mëdha mbi shpinë e t’i transportojnë përtej kufirit, në mënyrë që të fitojnë bukën e gojës. Transportuesit e lëndës djegëse dhe kolbar-ët kategorizohen si “kontrabandistë” nga regjimi dhe merren në shënjestër rregullisht nga forcat e sigurisë. Me çdo ngarkesë që e transportojnë përtej kufirit, transportuesit e lëndës djegëse dhe Kolbar-ët vënë në rrezik jetën.

Provinca e dytë më e madhe e Iranit, Sistan dhe Baluchestan, është gjithashtu një nga më të varfrat sipas mediave shtetërore iraniane.

Një raport i gushtit 2020 thotë se, nga 20 rajonet me varfërinë më të madhe në Iran, 14 ndodhen në zonat rurale të provincës Sistan dhe Baluchistan, me varfëri që shkon në shifrat 75-90%.

Agjencia shtetërore e lajmeve ILNA shkruante në janar se Sistan dhe Baluchistan kishte 141,000 fëmijë e adoleshentë të privuar nga arsimimi, dhe se këto shifra janë përsëritur që në 2014-ën.

Në gusht 2019, Drejtori i Përgjithshëm i provincës për Çështjet e Grave dhe të Familjes tha për agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA se kjo provincë ka numrin e tretë më të lartë të martesave të fëmijëve në Iran.

Në janar 2019, agjencia shtetërore e lajmeve ISNA pati shkruar se 12,000 fëmijë në Sistan dhe Baluchistan vuanin nga kequshqyerja, dhe se kjo ishte tre herë më shumë sesa mesatarja e të gjithë Iranit.

Plani Razzaq

Kufiri u mbyll më 22 shkurt sipas Planit Razzaq, si një mënyrë për t’i “organizuar” transportuesit e lëndës djegëse, sipas mediave shtetërore.

Sipas planit, që drejtohet nga IRGC, banorët që jetojnë brenda një rrezeje prej 20 kilometrash nga kufiri lejohen të blejnë lëndë djegëse dhe ta transportojnë atë përtej kufirit për ta shitur. Kjo ndërkohë që shumë transportues janë njerëz të varfër që jetojnë nëpër periferi të qyteteve të vogla më shumë se 20 kilometra nga kufiri. Vetëm ata që kanë një kartë identiteti të miratuar nga IRGC mund ta transportojnë lëndën djegëse përtej kufirit, dhe ata që nuk janë të regjistruar bëhen shënjestra të lehta për regjimin.

Shumë besojnë se IRGC i sheh transportuesit e lëndës djegëse si rivalë dhe se ky plan i ri është një mënyrë që IRGC ta monopolizojë shitjen e lëndës djegëse për të marrë fitime të mëdha.

Për shkak të krizës ekonomike në Iran dhe sanksioneve, regjimi iranian ka nevojë për burime financiare në shkallë të gjerë për veprimtaritë e tij luftënxitëse e terroriste në rajon.

IRGC është gjithashtu famëkeqe për rolin e saj në trafikimin dhe shpërndarjen e narkotikëve brenda dhe jashtë Iranit, gjë që tani është vënë në fokusin e vëmendjes ndërkombëtare.