Friday, March 29, 2024

Pakënaqësia Ekonomike Drejton Lëvizjen në Rritje për Ndryshim Regjimi në Iran

iranians-protesting-during-nationwide-uprising

Zyrtarët e regjimit iranian ka të paktën tre vite që paralajmërojnë njëri-tjetrin për perspektivën e një revolte të gjatë e të organizuar – që kur Irani u trondit nga e para e një serie kryengritjesh mbarëkombëtare që i popullarizoi thirrjet për ndryshim regjimi. Këto protesta u zhvilluan në mbi 100 qytete të mëdha e të vogla në fund të 2017-ës dhe në fillim të 2018-ës. Por ato ishin kulmimi i trazirave të përshkallëzuara që kishin filluar disa vite më përpara.

Ndërkohë që kryengritja vazhdonte ende, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të regjimit pati raportuar se kishte patur afërsisht 43,000 grumbullime të mëdha publike gjatë një periudhe të mëparshme katër-vjeçare, që do të thotë rreth 30 protesta mesatarisht çdo ditë. Në një pjesë të madhe të tyre, këto demonstrata ishin motivuar fillimisht nga zemërimi i njerëzve lidhur me situatën ekonomike të vendit.

Edhe kryengritja e janarit 2018 nisi me një protestë në qytetin Mashhad, e cila ishte e fokusuar tek keqmenaxhimi i krizave si inflacioni dhe papunësia nga ana e regjimit. Por teksa lëvizja u përhap në zonat përreth, pjesëmarrësit nisën të nxirrnin në pah një vetëdije të përbashkët për faktin se ky keqmenaxhim ishte një tipar themelor i diktaturës teokratike dhe se të gjitha problemet e vazhdueshme të Iranit e kishin origjinën tek struktura e qeverisë.

Duke patur parasysh këtë, protestuesit nisën të përsëritnin sllogane të pazakonta anti-regjim si “vdekje diktatorit” ndërkohë që i refuzonin me qartësi të dy fraksionet e regjimit – “principalistët” e lidhur me vetë diktatorin, Liderin Suprem Ali Khamenei, si dhe “reformistët” përfaqësuesi më i spikatur i të cilëve është presidenti aktual, Hassan Rouhani.

Ky zemërim rrjedh nga fakti që Rouhani dhe grupimi i tij janë të përfshirë në korrupsion financiar dhe shtypje në po atë masë sa edhe principalistët, apo konservatorët.